Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale pamjet e aksionit të IMT-së në bregdetin e Vlorë, ku fadromat shihen duke shembur një pallat në ndërtim, për të treguar se aksioni për lirimin e hapësirave publike do të prekë edhe shkelësit e mëdhenj të ligjit.
“Kjo video është për ata që kanë merakun e gabuar se s’po ndëshkohen shkelësit e mëdhenj, si edhe për të ritheksuar faktin që kjo ngrehinë këtu nuk është as e pari e as e fundit që rrafshohet për paligjshmëri, ndërkohë që të tjera procese sekuestrimesh po bëhen në Vlorë e jo vetëm, për shkelje brutale të lejeve të ndërtimit”, shkruan Rama përkrah pamjeve të aksionit.
Sipas shefit të qeverisë, njëkohësisht pakoja e re e masave që do të miratohet së shpejti “do të jetë një mesazh i qartë për të gjithë, ata që shkelin ligjin duke lënduar mjedisin e përbashkët po edhe ata që mbyllin sytë përpara shkelësve”. (A2 Televizion)