"Alimehmeti kandidaturë e shkëlqyer për Tiranën, por vendosin organet", Bardhi: Deputetët e PD s’janë refuzuar nga studentët

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2026, 13:30 | Politikë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka komentuar në “Puls” nga Bruna Çifligu në A2CNN debatet mbi praninë e deputetëve demokratë në protestat e zhvilluara nga studentët, si dhe mundësinë e kandidimit të Ilir Alimehmetit për Bashkinë e Tiranës.

I pyetur nëse studentët kanë refuzuar praninë e deputetëve të PD-së në protestë, Bardhi u shpreh se nuk ka pasur kërkesa të tilla, por sipas tij, bëhet fjalë për përpjekje të disa individëve të lidhur me parti të tjera për të krijuar zhurmë rreth opozitës.

“Së pari, nuk ka pasur asnjë student që ka kërkuar largimin e deputetëve të PD-së. Ajo që kemi parë dy të shtuna ka qenë një përpjekje e disa individëve, të atashuar me partitë e tjera, për të krijuar një zhurmë në raport me PD-në. Nëse për ju një burrë 50-vjeç është student?! Nuk kam parë 20-vjeçarë. Deputetët kanë qenë që ditën e parë të protestës, në shesh, komisariate, prokurori dhe gjykatë, dhe s’ka pasur asnjë refuzim për këtë mbështetje”, deklaroi Bardhi.

Sa i përket mundësisë që Ilir Alimehmeti të jetë kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, kreu i grupit parlamentar të PD-së e vlerësoi atë si një kandidaturë shumë të mirë, por theksoi se përzgjedhja duhet të kalojë përmes dialogut dhe strukturave të Partisë Demokratike.

“Z. Alimehmeti do të ishte një kandidaturë e shkëlqyer e opozitës për Tiranën. Megjithatë, unë nuk dua të shpall kandidatura nga media, për shkak se, së pari, duhet t’i japim mundësi këtij dialogu dhe këtij konsensusi të gjerë që unë po flas, dhe së dyti, do të duhet t’i japim hapësirën e vet organeve brenda PD-së për caktimin e kandidatëve zyrtarë të PD-së. Por po, z. Alimehmeti është një kandidat që, në vlerësimin tim, do të ishte një ofertë shumë serioze, shumë e mirë, përballë kandidaturës së Ramës në Bashkinë e Tiranës”, u shpreh Bardhi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos