Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka miratuar formatin e ri të recetës mjekësore dhe udhëzimin për lëshimin dhe ekzekutimin e saj në farmaci, një zhvillim i rëndësishëm për standardizimin e shërbimit farmaceutik dhe rritjen e transparencës në përshkrimin e barnave.
Në emisionin “Diagnozë” nga Freskida Miloti, afërsisht një vit më parë, kemi trajtuar çështjen e recetës mjekësore, duke parashtruar kërkesat për përmirësimin e saj, ndër të cilat përfshirja e emrit gjenerik të barnave dhe kalimi në recetën elektronike.
Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë ishte pjesë aktive e grupit të punës që hartoi këtë format dhe udhëzim. Propozimet kryesore të tij janë reflektuar në dokumentin përfundimtar.
Disa nga risitë e miratuara janë: Detyrimi që përshkrimi i barnave të bëhët edhe me emrin gjenerik në recetë, një kërkesë e hershme e profesionistëve; Receta e përsëritshme (duke mundësuar ruajtjen e kopjes së recetës në mënyra të ndryshme); E drejta e kopjes së recetës nga farmacisti; Përcaktimi i elementëve të detyrueshem për t’u plotësuar.
Në një intervistë për emisionin “Diagnozë” në A2CNN, Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Defrim Goma u shpreh:
“Zgjidhja përfundimtare është receta elektronike si dhe përcaktimi që barnat e përshkruara në recetë duhet të jenë vetëm ato që përmban Regjistri i Barnave. Këto kanë qenë pjesë e kërkesave, por që do të mundësohen në një fazë të dytë.
Ai iu bën thirrje të gjithë kolegëve mjekë dhe stomatologë të zbatojnë me korrektësi udhëzimin dhe të jenë të kujdesshëm në respektimin e formës dhe përmbajtjes së recetës, të përdorin shkrim të qartë e të kuptueshëm, në mënyrë që të shmangen gabimet, penalizimet dhe të sigurohet një zbatim i unifikuar në të gjithë vendin.
Përshkrimi i barnave me emrin gjenerik, kufizimi i recetës vetëm për barnat që gjenden në Regjistrin Kombëtar, si dhe përgatitja për implementimin e recetës elektronike, janë hapa thelbësorë që rrisin sigurinë dhe cilësinë e trajtimit për pacientin. Ndërkohë, mbeten edhe disa rekomandime që presin të adresohen në ndryshimet e ardhshme ligjore.
Miratimin e formatit të recetës mjekësore sipas formatit bashkëlidhur këtij urdhri, ngarkohet Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetesor për furnizimin dhe
shpërndarjen në institucionet shëndetesore publike të formatit të recetës mjekësore. Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhri, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve
Mjekësore, Urdhri i Mjekut, Urdhri i Farmacistit, Urdhri i Stomatologut si dhe gjithë institucionet shëndetesore publike dhe private në Republikën e Shqipërisë.
Ky urdhër hyn në fuqi menjeherë dhe i fillon efektet më datë 01.08.2025.
Ndryshimet e miratuara përfaqësojnë një hap përpara drejt modernizimit të shërbimeve farmaceutike në vend dhe një shembull i bashkëpunimit konkret ndërinstitucional. (A2 Televizion)