
Probleme me energjinë elektrike, probleme në infrastrukturë dhe çarje argjinatura lumenjsh janë evidentuar në qarkun e Korcës sipas raportimeve mëngjesin e sotëm.
Ndërprerje të energjisë janë raportuar në disa zona rurale dhe urbane të bashkive Korçë, Maliq, Pogradec dhe Kolonjë, ku rreth 1 800 abonentë mbeten pa energji, ndërsa ekipet e OSHEE-së ndodhen në terren për riparimin e defekteve.
Në Bashkinë Maliq problematika kryesore mbetet çarja e argjinaturës së Lumit Devoll, ndërsa në Pogradec Lumi i Verdovës ka shkaktuar shembje të një pjese të karrexhatës, duke kufizuar qarkullimin në një korsi. Rrëshqitje dherash janë evidentuar edhe në zonën e Çërravës, ku rrezikohet një banesë.
Situata aktuale në Qarkun e Korçës – ora 09:30
Furnizimi me energji elektrike (OSHEE):
Fideri 9, NST Lozhan – pjesërisht pa energji; preken rreth 400 abonentë ruralë. Jashtë funksionit janë 5 kabina në zonat Leshec dhe Maliq–Opar, si dhe 3 abonentë ruralë.
Fideri 14, NST Petrushë – pa energji zonat Dardhas, Prenisht dhe Grunjaz; rreth 400 abonentë ruralë.
Fideri 20 “Ushtria”, NST Pogradec – pa energji rreth 700 abonentë urbanë në zonat Garnizon, Goricë dhe Gurore.
Fideri Potgozhan, NST Gur i Kuq – pa energji zonat Bishnicë, Jollë, Tallë dhe Lëngë; rreth 100 abonentë ruralë.
Fideri JO6, NST Leskovik – i stakuar për shkak të defektit; preken 257 abonentë ruralë në zonat Podë, Postenan, Peshtan, Gjirakarë, Radovë, Lashovë, Vrespkë, Radanj, Shalës dhe Germenjë.
Ekipet e OSHEE-së janë në terren për riparimin e defekteve. Të gjithë fiderat që furnizojnë konsumatorë me rëndësi të veçantë janë funksionalë. Hidrovori Pogradec funksionon normalisht.
Bashkia Kolonjë:
Janë pastruar rrugët rurale në Sokorovot, Kreshovë, Lavdar, Lahollarë, Strajë dhe Psar.
Në qytetin e Ersekës është pastruar sheshi “Rilindja” dhe janë kriposur akset rrugore për parandalimin e ngricave.
Po vlerësohet ndërhyrja në segmentin rrugor drejt fshatit Shemetirë dhe rruga rurale e fshatit Gjonç.
Bashkia Maliq:
Vijon problematika e çarjes së argjinaturës së Lumit Devoll; ndërhyrje e pamundur për momentin.
Rrëshqitje dhe problematika në zonën e Kakaçit dhe ura e fshatit Osojë kërkojnë investim dhe ndërhyrje të mëtejshme.
Po vazhdojnë pastrimet e rrugëve rurale; situata monitorohet nga Emergjencat Civile dhe Bashkia.
Bashkia Devoll:
Janë hapur dhe kriposur rrugët në Njësinë Administrative Miras.
Qarkullimi normalizohet në rrugën Vidohovë–Miras.
Janë kryer riparime në argjinaturën e lumit Oshticë dhe sistemimi i lumit në fshatin Përparimaj për parandalimin e përmbytjeve.
Rruga Grapsh–Përparimaj është kthyer në funksion normal.
Bashkia Pustec:
Po punohet për pastrimin e përroit të Gorricës dhe riparimin e segmentit Lajthizë–Liqenas.
Bashkia Korçë:
Nuk raportohen problematika nga reshjet e shiut.
Për rrugën e fshatit Denas janë marrë masat dhe ndërhyrja do të bëhet pas uljes së nivelit të ujit.
Bashkia Pogradec:
Problem kryesor mbetet Lumi i Verdovës; pjesë e karrexhatës është shembur, qarkullimi bëhet vetëm në një korsi.
Lumi Remenjit është stabilizuar; po vlerësohet zgjidhje përfundimtare.
Lumi i qytetit ka shkaktuar dëme dhe kërkon ndërhyrje.
ARRSH Drejtoria Qendër-Lindje
Rruga e Dardhasit është kalueshme provizorisht; po prisnin konkluzionet e specialistëve gjeologjikë.
Në fund të fshatit Çërravë ka rrëshqitje dherash që rrezikojnë një banesë të banuar. (A2 Televizion)