848 banorë të evakuuar, situata nga përmbytjet në Durrës drejt normalizimit, vijon vlerësimi i dëmeve

Nga A2 CNN
10 Janar 2026, 09:20 | Aktualitet

848 banorë të evakuuar, situata nga përmbytjet në

Prefektura e Qarkut Durrës bën me dije se situata e krijuar nga reshjet e fundit të shiut po shkon drejt normalizimit në të gjithë territorin e qarkut, ndërsa strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile vijojnë monitorimin në terren.

Sipas informacionit të përditësuar mëngjesin e sotëm, në Bashkinë Durrës, gjatë natës janë regjistruar reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar, pa shkaktuar problematika në akset rrugore apo në lumenj. Nga të dhënat zyrtare, niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm ka shënuar rënie të dukshme dhe situata hidrike është në përmirësim.

Si pasojë e përmbytjeve, janë evakuuar gjithsej 848 banorë. Janë mbajtur 1 453 akte konstatimi dhe janë verifikuar 4 067 banesa. Rreth 508 specialistë vijojnë punën në terren për vlerësimin e dëmeve deri në evidentimin e plotë të situatës emergjente. Ndërkohë, nga Rezervat Shtetërore janë siguruar 1 100 pako ushqimore, të cilat janë shpërndarë për qytetarët e strehuar në Durrës, Sukth dhe zonën e Plazhit. Në Sukth dhe Katund të Ri raportohet përmbytja e rreth 2 800 hektarëve tokë bujqësore.

Në Bashkinë Krujë, reshjet me intensitet deri mesatar në zonën e Fushë-Krujës nuk kanë shkaktuar probleme të reja. Nga inspektimet rezulton se lumenjtë Gjole dhe Zezë janë në rënie dhe situata po shkon drejt normalizimit. Autoritetet bëjnë me dije se është përfunduar edhe bllokimi i çarjes së argjinaturës së lumit Droje.

Edhe në Bashkinë Shijak situata paraqitet e qëndrueshme. Gjatë natës nuk janë raportuar problematika të reja, ndërsa nga strukturat e MZSH dhe shërbimet bashkiake është bërë pastrimi i 5 banesave dhe nxjerrja e ujit nga 2 të tjera.

Prefektura e Qarkut Durrës thekson se situata vijon të jetë nën monitorim të vazhdueshëm dhe se strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos