Në 35 vjetorin e themelimit, Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë organizoi një konferencë për të ngritur disa shqetësime ende të pazgjidhura. Nevojat janë për shërbime bazë të kujdesit shëndetësor, emocional si dhe angazhimin e personave të verbër në arsim dhe përvetësim të profesioneve.
Ndonëse në Tiranë gjendet një prej qendrave më të mëdha në Ballkan për këto shërbime, përfaqësues të Shoqatës së të Verbërve thonë se institucionet nuk investojnë në funksionimin e saj.

I pranishëm në tryezën e diskutimit ishte dhe Komisioneri Robert Gajda, i cili i kujtoi institucioneve publike dhe private një detyrim që kanë ndaj personave me aftësi të kufizuara, shkruan A2 CNN.
Personat e verbër hasin vështirësi edhe në lëvizjen në trotuare, pasi nuk ka mjaftueshëm shenja orientuese, teksa shumë herë u mohohet edhe reduktimi i biletës për transportin publik qytetas dhe ndërqytetas. (A2 Televizion)