Vijon shuarja e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve në Elbasan, forcat zjarrfikëse në terren pas izolimit të vatrës

Nga A2 CNN
7 Korrik 2025, 13:37 | Aktualitet

Vijon shuarja e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve në Elbasan,

Situata e zjarreve në rang vendi mbetet problematike, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 19 vatra zjarri, nga të cilat 6 janë ende aktive.

Një nga vatrat më problematike është ajo në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan. Pas izolimit të saj nga forcat operacionale ditën e djeshme, edhe sot puna po vijon për shuarjen e plotë të flakëve, që rrezikojnë përhapjen në zona të tjera, shkruan A2 CNN.

Në terren janë angazhuar zjarrfikës, forca pyjore dhe bashkiake, të cilët punojnë pa ndërprerje për të eliminuar çdo vatër të mundshme riaktivizimi. Për shkak të temperaturave të larta dhe erës, rreziku mbetet i lartë dhe situata kërkon monitorim të vazhdueshëm.

Në total, zjarret në vend kanë përfshirë kryesisht sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte, duke djegur mbi 65 hektarë bimësi. Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 37 automjete zjarrfikëse, 362 forca operacionale, 8 automjete të rënda dhe efektivë të Forcave të Armatosura.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe të njoftojnë menjëherë strukturat përgjegjëse në rast rreziku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos