Në qytetin e Korçës vitet e fundit është rritur ndjeshëm interesi për restaurimin e banesave të vjetra mbi 100-vjeçare për t’i rikthyer ato në gjendje e mëparshme sikurse janë ndërtuar më shumë se një shekull më parë, raporton A2CNN.
Shumica e restaurimeve kryhen për t’i kthyer ato në bujtina pritëse por ka edhe nostalgjikë që i mbajnë si banesa të tyre. Por nëse godina mund të sillet në gjendjen që ka qenë 100 vite me parë, restaurimi i dyerve dhe dritareve prej druri është një sfidë më vete.
Përveç pasionit për t’i restauruar duhen edhe teknika të përshtatshme sikurse janë bërë një shekull më parë, ndërsa një pjesë e mirë e dyerve dhe dritareve mendohet se janë sjellë nga jashtë vendit.
Restauratori Engjëll Bregu tregon sfidat për të ruajtur trashëgiminë e këtyre banesave. Vetëm në vitet e fundit, në qytetin e Korçës janë dhënë mbi 150 leje ndërtimi për restaurimin e banesave të vjetra, duke ruajtur elementët origjinalë të ndërtimit dhe duke kontribuar në zhvillimin e turizmit kulturor. (A2 Televizion)