Eksperti i sigurisë Gert Metani foli në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN për atentatin që tronditi dje opinionin publik, ku u vranë në Lezhë çifti i bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentiana Mujeci. Sipas Metanit kemi të bëjmë me një ngjarje të planifikuar dhe të mirëmenduar, që ka lënë jetim 4 fëmijë.
“Ngjarja është e rëndë, sepse është e gjithë familja, jo një person i vetëm. Duke qenë se është e përfshirë edhe bashkëshortja, këto ngjarje edhe nga organizatat më mafioze të mundshme, gjithmonë janë tentuar të ndahen, të goditet objektivi por të falen familjarët, fëmijët, bashkëshortja, prindërit, etj. Ngjarja ka marrë përmasa të mëdha, është goditur si familje duke lënë jetimë katër fëmijë. Është ngjarje e planifikuar, e mirëmenduar, futet te vrasja me paramendim dhe te grupi i strukturuar, pasi shohim që mund të jenë mbi dy mjete, apo disa autorë që kanë marrë pjesë. Grupi hetimor në Lezhë besoj që po bëjnë hetimet e tyre dhe do t’i çojnë përpara qoftë me pamjet filmike. Si ngjarje merr përmasa të rënda dhe e trondit opinionin publik dhe përmasën e sigurisë”, tha Metani. (A2 Televizion)