Në lidhje me vazhdimësinë e mundshme të konfliktit SHBA-Iran në Lindjen e Mesme dhe me operacionet e deritanishme ushtarake, koloneli Sami Neziri u shpreh që "SHBA-të nuk duan të angazhohen në një konflikt tokësor" dhe se metoda e deritanishme e sulmeve ajër-tokë, do të jetë ajo që mund të ndiqet nga ushtria amerikane.
"Një ofensivë tokësore nuk besoj që është opsion. Do të vazhdojë me të njëjtën metodë, me doktrinën e luftës ajër-tokë", tha koloneli, duke sjellë në kujtesë ofensivat e mëparshme amerikane.
"Nuk besoj të ketë ofensivë tokësore. SHBA-të nuk duan të angazhohen në një konflikt tokësor, edhe për arsye të përvojës në Afganistan dhe në Irak. Kur filloi konflikti në Irak, kishte qenë parashikuar për tre vjet. Lufta do të fitohej menjëherë, por periudha e tranzicionit të pushtetit, pra krijimi i pushtetit të ri, qeverisë së re dhe gjithë institucioneve të reja, do të zgjaste tre vjet dhe SHBA-të do të largoheshin. Ajo vazhdoi shumë gjatë, ndërkohë që në Afganistan dështoi plotësisht. U tërhoq, qëndroi me vite, nuk e ndërtoi dot shtetin, ushtrinë. U ngrit formalisht ushtria, por u shpërbë brenda ditës".
Ndërsa në lidhje me përfundimin e konfliktit, koloneli theksoi që do të ketë përpjekje për vazhdimin e negociatave, pavarësisht se cilësoi që qëndrimi i palës iraniane nuk është i unifikuar. Ai shtoi se regjimi lufton për ekzistencë dhe nuk bie lehtë.
"Regjimi është tronditur, nuk ka rënë dhe nuk bie lehtë për shumë arsye. Edhe regjimi lufton për ekzistencë. Në gjykimin tim, mendoj që do të ketë një përpjekje për të vazhduar negociatat, pavarësisht se problemi nuk qëndron te Izraeli. Qëndron te pala iraniane, nuk është i unifikuar qëndrimi i regjimit iranian", tha koloneli nga studioja e emisionit "Off the Record" nga Andrea Danglli. (A2 Televizion)