Durrësi nuk ka zhgënjyer as në shirat e parë të vjeshtës. Por kësaj radhe përmbytjet nuk kanë vështirësuar vetëm qarkullimin, por i kanë ndërprerë jetën një 43-vjecari, babait të tre fëmijëve i cili nën prezencën e ujit mbi trotuar ka rënë aksidentalisht në kontakt me rrymën elektrike duke humbur jetën menjëherë.
Ndërsa policia ka nisur hetimet për këtë rast, shumë zona të tjera të Durrësit janë zgjuar në pushtetin e ujit.
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve tashmë të mësuar prej vitesh në këtë situatë duket se kanë vijuar rutinën e tyre duke improvizuar në kalimin e rrugëve të mbushura me ujë.
Në zonën e kënetës uji është future edhe brenda banesave duke dëmtuar orendi shtëpiake.
Ndërsa nënkalimi i Velierës kishte një pamje që nuk ka nevojë për koment.
Shirat e kësaj të enjte kanë përmbytur edhe rrugët e Vlorës. Si zakonisht, më të prekura nga përmbytjet kanë qenë lagjia “Pavarësia 3”, zona "Albano dhe Romina", zona pranë stadiumit “Flamurtari”, Bulevardi kryesor dhe rruga “Gjergj Arianiti”.
Fatmirësish pas rënies së intensitetit të reshjeve uji është tërhequr nga rrugët duke përmirësuar situatën deri në reshjet e radhës. (A2 Televizion)