Ulet intensiteti i shiut, drejt normalizimit situata në Vlorë

Nga Edi Ruçi
11 Shtator 2025, 08:26 | Aktualitet

Ulet intensiteti i shiut, drejt normalizimit situata në Vlorë

Reshjet e dendura të shiut përshinë qytetin e Vlorës në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke shkaktuar përmbytjen e disa rrugëve dhe lagjeve të qytetit.

Si zakonisht, më të prekura kanë qenë lagjja “Pavarësia 3”, zona "Albano dhe Romina", zona pranë stadiumit “Flamurtari”, Bulevardi Kryesor dhe rruga “Gjergj Arianiti”.

Gjithashtu nën ujë kanë mbetur edhe disa lagje të tjera, si “28 Nëntori”, “Pavarësia” dhe “Kushtrimi”.

Ulja e intensitetit të reshjeve ka bërë që në disa rrugë dhe zona situata të shkojë drejt qetësimit dhe normalitetit. Por, disa zona një ndër to dhe “Albano dhe Romina” vijojnë të jenë mes ujit ende. Punonjësit e bashkisë dhe ujësjellësit që po mundohen të menaxhojnë situatën në terren.

Ndërkohë, për shkak se në disa zona dhe segmente rrugore ka ende prezencë të ujit, por edhe për shkak të orarit kur çdo person shkon në punë apo nxënësit në shkollë, rrugët e Vlorës janë pushtuar nga trafiku.

Efektivë të Policisë Rrugore kanë dalë në terren për menaxhimin e situatës dhe qarkullimit në qytet. Akset më problematike janë ato dytësore pranë shkollave, por edhe rruga Transballkanike si nyje lidhëse e tyre.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos