Incidenti i dhunshëm që ndodhi në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë ku një mësues u përfshi në një konflikt fizik me një nxënës, për politologun Adnan Beqiri, problemi kryesor qëndron te sistemi arsimor dhe jo vetëm te individi. Në Dita Jonë në A2 CNN ai tha se ngjarja ka ndodhur pas një provokimi nga një grup prej rreth 10 nxënësish dhe situata ëhstë nxitur qëllimisht për të reaguar mësuesi, ndërsa më pas është publikuar vetëm momenti i dhunës së ushtruar nga profesori.
“Unë fola dhe me psikologun dhe tha se sulmi kishte ndodhur nga një grup prej 10 studentësh. Jo për të justifikuar dhunën, por e dimë që dhuna nuk është në rënie dhe para se ta fajësoj profesorin, unë e shoh problemin tek sistemi sesi shkolla si institucion. është e nxitur nga një grup nxënësish për të nxitur profesorin. Qëllimi i kësaj videoje është që të shfaqin vetëm momentin e dhunës, ku shihet dhuna e ushtruar nga profesori”, u shpreh ai në Dita Jonë në A2 CNN.
Ai shtoi se dhuna ka ndodhur në zyrën e profesorëve, një hapësirë që dikur kishte rregulla strikte hyrjeje, ndërsa sot, sipas tij, nxënësit futen pa trokitur dhe pa respektuar autoritetin, si pasojë e një keqkuptimi të konceptit të lirisë.
“Kjo dhunë ndodh në zyrën e profesorëve. Në kohën time për të hyrë në atë zyrë ka pasur një lloj rendi, ndërsa sot në atë zyrë sot futen nxënësit pa rend, pa trokitur, kur të duan sepse ka një lloj keqkuptimi të lirisë”, theksoi ai.
Beqiri theksoi se shkolla, si “piedestali i shoqërisë”, nuk duhet të tolerojë asnjë formë dhune dhe ngriti një sërë pyetjesh për institucionet arsimore. “A merren masa parandaluese? A ka lëndë që nxisin empatinë dhe parandalojnë dhunën? A njihen nxënësit me rregullat dhe pasojat e bullizimit, si dhe a janë shkollat të pajisura me sisteme sigurie, kamera survejimi dhe personel që merret me neutralizimin e dhunës?
Incidenti i rëndë është regjistruar brenda ambienteve të shkollës “Pavarësia” në Prishtinë, ku një mësues dhe një nxënës janë përfshirë në një përplasje fizike.
Sipas pamjeve që po qarkullojnë, mësuesi shihet teksa godet nxënësin, ndërsa një tjetër nxënës ndodhej në klasë duke filmuar ngjarjen. Situata më pas përshkallëzohet, pasi nxënësi i kundërpërgjigjet mësuesit duke e goditur me shkelm, përpara se të largohet nga vendi i ngjarjes.
Rrethanat që çuan në konfliktin mes tyre ende nuk janë bërë të qarta, ndërsa pritet reagimi i autoriteteve arsimore dhe institucioneve përkatëse për sqarimin e plotë të incidentit dhe marrjen e masave përkatëse.
(A2 Televizion)