
Është publikuar sot në revistën "Nature Human Behaviour" një studim i ri gjenetik, që ofron panoramën më të qartë se kurrë më parë për origjinën e shqiptarëve, duke zbuluar rrënjë të thella në Ballkan dhe një nivel të pazakontë vazhdimësie që nga Epoka e Bronzit deri në ditët e sotme, shkruan A2CNN.
Një ekip ndërkombëtar studiuesish nga Universiteti i Oksfordi-t, Universiteti i Tel Aviv-it, Ohio State University, ka analizuar mbi 6,000 genome të lashta nga Ballkani dhe Euroazia Perëndimore, si dhe 74 genome të reja nga shqiptarë të sotëm. Studiuesit përdorën metoda të avancuara statistikore, përfshirë teknikën “ancient identity-by-descent” (ancIBD), e cila identifikon segmente ADN-je të trashëguara nga paraardhës të përbashkët.
Rezultatet tregojnë se, “ndërsa një pjesë e madhe e Evropës Juglindore u rimodelua nga migrime në shkallë të gjerë gjatë Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës së Hershme, paraardhësit e shqiptarëve të sotëm mbetën relativisht të paprekur. Terreni malor duket se ka shërbyer si një strehë afatgjatë, duke ruajtur lidhjet gjenetike me popullsitë e lashta të Ballkanit Perëndimor dhe qendror nga Epoka e Hekurit dhe periudha romake”.
Dr. Leonidas-Romanos Davranoglou, studiues në Muzeun e Historisë Natyrore të Universitetit të Oksfordit, tha: “Rezultatet tona tregojnë se shqiptarët përfaqësojnë një nga shembujt më të qartë të vazhdimësisë gjenetike afatgjatë në Ballkan. Pavarësisht tronditjeve të mëdha historike, ata ruajtën lidhje të forta me popullsitë e lashta që jetonin në këtë rajon mijëra vite më parë.”
Kjo vazhdimësi reflektohet edhe në modelet demografike. Analizat gjenetike mbi madhësinë historike të popullsisë tregojnë se shqiptarët rrjedhin nga një popullsi paraardhëse relativisht e vogël dhe e bashkuar, në përputhje me izolimin e zgjatur dhe rrjedhën e kufizuar të gjeneve nga jashtë gjatë shekujve.
Bashkëautori Dr. Alban Lauka theksoi: “Ky lloj sinjali gjenetik tregon një popullsi që ka mbetur relativisht e qëndrueshme për periudha të gjata, edhe pse rajonet përreth përjetuan ndryshime të mëdha demografike.”
Bashkautori Gjergj Bojaxhi shtoi: “Ky është një zbulim kyç për historinë shqiptare. Ai tregon se komunitete të lidhura ngushtë me shqiptarët e sotëm ishin tashmë të pranishme në Jug të Shqipërisë shumë kohë përpara se të dokumentoheshin historikisht.”
Revista Nature është një nga dy-tre revistat më prestigjioze në botë në fushën e Antropologjisë dhe artikulli është publikuar pasi ka kaluar një oponencë tekniko-shekncore nga redaksia e revistës.
Publikimi ka disa bashkautorë nga Shqipëria (Projekti Rrënjët, Akademia e Shkencave dhe Instituti i Albanologjisë), si dhe bashkëautorë nga vende si Greqia, Hungaria, Polonia dhe SHBA.
Artikulli ka përdorur databazën më të madhe të popullatës moderne shqiptare (Shqipëri, Kosovë/Preshevë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri) me teste të kryera në laboratorë në Gjermani, Itali dhe SHBA. Edhe brenda territorit të Shqipërisë kampioni i rezultateve përmban rezultate nga çdo rajon i vendit.
(A2 Televizion)