
Një i moshuar i sëmurë është evakuuar nga banesa e tij e përmbytur në fshatin Ferras të Fierit, falë ndërhyrjes së forcave të ushtrisë në bashkëpunim me ekipin mjekësor.
Për shkak të rrezikut nga niveli i lartë i ujit, autoritetet ndërhynë menjëherë, duke e transportuar të moshuarin drejt Spitalit Rajonal të Fierit për ndihmë mjekësore.

Në pamjet e mbërritura në A2 CNN shihen forcat e ushtrisë që po e transportojnë duke e mbajtur në krahë të moshuarin drejt ambulancës.

Ndërkohë forcat e ushtrisë kanë ndihmuar gjithashtu familje të tjera të evakuohen përmes gomoneve.

Ndërkaq A2 CNN raporton se për shkak të përmbytjeve është bllokuar edhe aksi i vjetër Levan Vlorë.
Ministri Vëngu në një prononcim për mediat ka pohuar se procesi i evakuimit të banoreve në Ferras është drejt përfundimit.

“Është zbatuar me vonesë për shkak te refuzimit të tyre për t’u larguar, ndërkohë që situata do të mbetet në monitorim të plotë, pasi edhe dita e shtunë parashikohet me reshje intensive”, u shpreh ministri.
(A2 Televizion)