Situatë kritike në disa fshatra, viktima e parë nga zjarret në Kullollas të Gramshit

Nga A2 CNN
12 Gusht 2025, 16:43 | Aktualitet

Situatë kritike në disa fshatra, viktima e parë nga zjarret

Viktima e parë nga zjarret është regjistruar në një fshat të thellë të bashkisë së Gramshit, në Kullollas. Sipas njoftimit zyrtar të policisë viktima një 80-vjeçar kishte ndezur një zjarr në oborrin e banesës, zjarr i cili shpejt i ka dale nga kontrolli duke u përhapur në një sipërfaqe të madhe.

I moshuari dyshohet se ka ndërruar jetë nga asfiksia, ndërsa flakët e përhapura më pas në fshat kanë krijuar një situatë mjaft të rrezikshme edhe për banorët e tjerë të fshatit.

Erërat e forta kane bërë që vatrat te përhapen në sipërfaqe shumë më të gjerë, duke krijuar një situatë emergjence në të paktën tre fshatra, Kullollë, Bletës dhe Menkollarë.

Ushtria është detyruar të urdhërojë evakuim të menjëhershëm të banorëve, ndërsa katër helikopterë kanë nisur operacionet nga ajri për të vënë nën kontroll sipërfaqen e madhe nën pushtetin e flakëve.

Drejt vendngjarjes janë nisur forca të shumta të ushtrisë, zjarrfikësve, emergjencave civile dhe shërbimit të urgjencës, me qëllim ardhjen në ndihmë të banorëve të tre fshatrave.

Mësohet se personat e parë të evakuuar kanë mbërritur në spitalin e Gramshit ku fatmirësisht situata e tyre shëndetësore paraqitej jashtë rrezikut për jetën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos