Një ngjarje të paprecedentë dhe të neveritshme e ka cilësuar ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu skandalin e publikuar sot në media mbi një skemë mashtrimi të mjekëve të spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Në një deklaratë për mediat pasi njoftoi pezullimin e tyre nga detyra Koçiu theksoi se punonjës të tillë nuk kanë vend në sistemin shëndetësor.
“Ngjarja e sotme të krijon një neveri të madhe, mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish dhe për punonjësit e shëndetësisë që funksionin parësor kanë humanizmin e shpëtimin e e jetëve. Është një ngjarje e paprecedentë. Jam e neveritur. Personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit e procedurave administrative dhe të jetë e qartë që këta lloj personash nuk mund të ndotin bluzat e bardha, nuk përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me përkushtim dhe këta persona nuk kanë vend në sistemin shëndetësor”.
Pas një mbledhje disa orëshe në QSUT ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu u ka komunikuar largimin nga detyra 7 punonjësve të onkologjikut të përfshirë në skemën e mashtrimit të pacientëve. Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se do të ketë të tjera largime. (A2 Televizion)