Taksimi i të vetëpunësuarve, pezull! Kushtetuesja ende pa një vendim, opozita optimiste

Nga Marjo Brakaj
25 Qershor 2024, 14:56 | Aktualitet

“Deklaroj mbylljen e shqyrtimit gjyqësor. Trupa e gjykatës tërhiqet për të marrë vendim. Data dhe ora e shpalljes së vendimit do t’iu komunikohen sipas parashikimeve ligjore”, tha Holta Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese.

Pas 7 orëve shqyrtim në seancën e kaluar pak kishte mbetur për t’u thënë. Grupeve të interesit “pro” dhe “kundër” taksimit të profesioneve të lira iu desh më pak se një orë për të argumentuar qëndrimet e tyre. Më shumë se parashtrim të provave të reja, ata që kërkojnë rrëzimin e pjesshëm të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” zgjodhën të përsërisin dëmet që po pësojnë.

“Fillimisht iu hoq e drejta e ndërmjetësimit, pastaj harta gjyqësore u ngushtua e tani kemi tatimin me norma kaq të larta. Profesioni i avokatit po degradon”, deklaroi Edmond Konini, Sekretari i përgjithshëm i Dhomës së Avokatëve.

“Një subjekt tregtar mini-market po them ka mundësinë që zbresë 70 për qind të xhiros, ndërsa një profesionist i lirë vetë, 30 për qind”, thotë Shoqata e Kontabilistëve të Miratuar.

Me argumente të ngjashëm si në seancën e 18 qershorit zgjodhi të mbronin bazën e re ligjore që takson me 15 deri në 23 për qind të vetë-punësuarit përfaqësuesja e Kuvendit.

“Kemi argumentuar se kategoria e të vetë-punësuarve ka përfituar privilegje fiskle, përjashtime apo reduktime për 9 vite. Është kompetencë e shtetit që të rishikojë politikën e  tij fiskle”, deklaroi Ervina Domi, përfaqësues e Kuvendit.

Në mbyllje të seancës, deputetja e Partisë Demokratike tregoi edhe mbi pritshmëritë e saj ndaj “Kushtetueses” në drejtim të kërkesës për rrëzimin e disa neneve të ligjit.

“11 mijë biznese janë mbyllur, ndërkohë biznese të tjera po deklarojnë se do të dërgojnë jashtë Shqipërisë aktivitetin e tyre. Qeveria me sistemin e taksave është treguar e padrejtë, i ka taksuar më shumë profesionet e lira, më shume se kushdo tjetër dhe se në çdo vend tjetër. Shpresoj për një vendim të drejtë në mbrojte të punës, të të drejtë”, tha Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike.

Sipas tatimeve janë 29 mijë profesionistë që preken nga ligji që hyri në fuqi më 1 janar nga tatimi me fashë 15 për qind, kush ka fitim deri 14 milionë lekë dhe 23 për qind kush fiton mbi këtë shumë. Javën e kaluar nuk pati pezullim të efekteve të ligjit dhe pas seancës së kësaj të marte pritet vetëm vendimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos