Skema e zhvatjes së pacientëve tek onkologjiku, PD: Fytyra e shëmtuar e sistemit shëndetësor që ngriti Rama me ministrat e tij

Nga Anesti Barjamemaj
25 Qershor 2024, 16:09 | Aktualitet

Partia Demokratike e quan një hap të vogël operacionin e Prokurorisë së Tiranës për caktimin e masave të sigurisë për 8 mjek të Spitalit Onkologjik, që kishin krijuar një skemë për të zhvatur qytetarët. Deputetja Albana Vokshi nga selia blu deklaroi se ky operacion as nuk prek e nuk e çrrënjos korrupsionin malinj në shëndetësi.

“Orientimi i pacientëve me tumore drejt privatit, pasi i kanë shitur po privatit ilaçe anti-tumorale, për të cilat qytetarët kanë paguar një herë taksat, është fytyra e zezë e Edi Ramës, fytyra  e shëmtuar enjë sistemi shëndetësor që ngriti Edi Rama me ministrat e tij ‘kampionë të korrupsionit’”.

Vokshi kujton denoncimet e Partisë Demokratike për këtë çështje, duke shtuar se kjo situatë ekziston prej vitesh, ku mjekët nuk mendojnë për jetën e pacientëve por për paratë. Sipas saj ky operacion i organit të akuzës vërteton se premtimi për mjekësi falas është mashtrimi më i madh i Ramës.

“Alarmi i ngritur vazhdimisht, vit pas viti, muaji pas muaji dhe javë pas jave nga Partia Demokratike, ka rënë në vesh të shurdhër të qeverisë, prokurorisë dhe SPAK-ut. Shqiptarët tashmë e dinë: nuk ka mjekësi falas. Sistemi shëndetësor i Ramës është shndërruar në një hapësirë që dalëngadalë po merr shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Ka vetëm një detyrë qytetare dhe atdhetare: të përcjellim Ramën dhe hajdutët e tij para se ata të përcjellin të gjithë shqiptarët”.

Deputetja demokrate u bën thirrje autoriteteve përgjegjësi për të shtrirë hetimet në sistemin shëndetësor, pasi sipas saj korrupsioni është edhe në nivele të larta, duke filluar nga drejtuesit e QSUT, ministrja Ogerta Manastirliu e deri tek Edi Rama.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos