Sirenat kanë alarmuar nxënësit dhe stafin e mësuesve të një gjimnazi në Korçë. Por jo për ndonjë ngjarje, por në kuadër të një trajnimi nga emergjencat civile. Improvizimi i një rasti tërmeti, reagimi dhe dhënia e ndihmës së parë ishte qëllimi i këtij organizimi nga struktura e emergjencave civile, në bashkëpunim me pushtetin lokal në Korçë.
Drejtori i trajnimeve pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile e vlerëson organizimin e këtyre rasteve në radhë të parë për të orientuar popullatën se si të reagojë, por edhe për të njohur më mirë kapacitetet si dhe nevojat më emergjente që mund të kenë strukturat lokale të mbrojtjes civile, shkruan A2 CNN. Sipas tij, aftësia e strukturave për të reaguar është gjithnjë në evoluim, ashtu sikurse janë edhe fenomenet apo emergjencat që mund të shkaktohen nga natyra.
Trajnime të tilla shërbejnë edhe për të tërhequr vëmendjen e strukturave shtetërore për t’i konsideruar emergjencat civile si prioritet i vazhdueshëm dhe jo vetëm në raste të ngjarjeve.
Territori i qarkut të Korçës konsiderohet me një aktivitet të konsiderueshëm sizmik, siç ishin edhe rastet e tërmeteve në vitin 2019 në fshatin Floq. (A2 Televizion)
