Zgjedhjet e së dielës në Vlorë, në gatishmëri 265 efektivë policie

Nga Edi Ruçi
7 Nëntor 2025, 10:30 | Aktualitet

Zgjedhjet e së dielës në Vlorë, në gatishmëri 265

Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë ka vënë në gatishmëri 265 efektivë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të së dielës, më 9 nëntor, kur qytetarët e Vlorës do të zgjedhin kryetarin e ri të bashkisë.

Sipas burimeve zyrtare për A2 CNN, forcat e rendit janë trajnuar paraprakisht për menaxhimin e situatave të mundshme gjatë ditës së votimit dhe për garantimin e rendit e sigurisë në çdo qendër votimi. Efektivët do të jenë në detyrë që prej së shtunës, kur do të marrin në dorëzim qendrat e votimit dhe materialet zgjedhore, të cilat do të ruhen deri në momentin e hapjes së procesit të dielën.

Zgjedhjet e së dielës në Vlorë, në gatishmëri 265

Policia do të monitorojë të gjitha ambientet ku zhvillohet procesi, përfshirë qendrat e numërimit dhe selitë e KZAZ-ve, ndërsa do të qëndrojë në gatishmëri edhe gjatë procesit të numërimit të votave, por jashtë ambienteve të komisioneve zonale, për të shmangur çdo situatë problematike që mund të lindë.

Masat e sigurisë do të jenë në fuqi deri në përfundim të plotë të procesit zgjedhor dhe dorëzimin e të gjitha materialeve pranë KZAZ-ve.

Në Vlorë janë 231 qendra votimi dhe katër KZAZ, ndërsa në garë për drejtimin e bashkisë janë tre kandidatë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos