“Të monitorohen basenet lumore”, pedagogu: Përmbytjet kërkojnë sisteme elektronike dhe përgatitje afatgjatë

Nga A2 CNN
8 Janar 2026, 21:11 | Aktualitet

Për të menaxhuar më mirë fenomene përmbytjeve ka nevojë për studime, përgatitje shkencore dhe monitorim në kohë reale. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN pedagogu në Universitetin Politeknik të Tiranës, Klodian Skrame, sipas të cilit Shqipëria duhet të investojë në studime të thelluara të riskut dhe në instalimin e sistemeve elektronike për monitorimin e baseneve lumore.

“Për mendimin tim le të themi si aspekte shkencore dhe akademike ne kemi nevojë për përgatitje në radhë të parë për disa studime që janë studimet e riskut ndaj fenomenit të përmbytjeve. Kemi nevojë për monitorime pra të monitorojmë në kohë reale të gjithë basenet lumore meqenëse po flasim për përmbytjet. Po këto janë dy fenomene që lidhen bashkë janë rrëshqitja dhe përmbytjet që quhen fenomene hidrogjeologjike dhe në moment që ne kemi të gjithë këtë monitorime, këto studime, më pas mund të bëhen pastaj dhe parashikimet dhe ndërhyrjet dhe le të themi evitimi i këtyre fenomeneve dhe këtyre pse jo dëmeve qofshin ato ekonomike”, u shpreh ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Ai thekson se monitorimi në kohë reale i prurjeve ujore do të mundësonte paralajmërime të hershme dhe ndërhyrje parandaluese, duke ulur ndjeshëm dëmet ekonomike dhe rrezikun për jetën. Sipas tij paralajmërime shkencore janë dhënë prej vitesh nga akademikët, ku është ngritur një njësi e posaçme për rreziqet gjeologjike. Megjithatë, mungesa e financimeve dhe e zbatimit konkret ka penguar marrjen e masave të nevojshme.

“Për paralajmërime shkencore ne kemi dhënë propozimet tona gjithmonë në kontekst projektesh dhe bashkëpunimesh. Kemi si ambient akademik ne mundohemi të jemi aktivë kështu që kemi rreth dy vite që në Akademinë e Shkencave, kemi ngritur njësinë e gjeoshkencave, e cila merret me risqet gjeologjike që lidhen me përmbytjet, rrëshqitjet dhe tërmetet, dhe pikërisht nëntor patëm një konferencë ndërkombëtare në Akademinë e Shkencave. Në tavolinën tonë të përbashkët u munduam të vendosnim figura të ndryshme, jo vetëm shkencëtarë dhe akademikë, por dhe institucione dhe donatorë, sepse këto janë ndërhyrje të cilat kërkojnë financime dhe financime të konsiderueshme. Ne konkluduam që ka zgjidhje teknike, pra ka nevojë për një monitorim që duhet të jetë një në kohë reale, pra real time”, u shpreh pedagogu në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Pedagogu sjell si shembull një stacion elektronik të instaluar në Përmet, në bashkëpunim me Universitetin e Trentos, i cili çdo 15 minuta mat nivelin e ujit dhe prurjet, duke mundësuar parashikim deri në gjashtë orë për zonat më poshtë të lumit Vjosë, përfshirë Mifolin. Sipas tij, kjo provon se zgjidhjet teknike ekzistojnë dhe janë të realizueshme.

“Ne kemi dhe një eksperiencë kemi instaluar në kuadër të një bashkëpunimi që kishim me Universitetin e Trentos në qytetin e Përmetit, në urën e Përmetit kemi një stacion i cili është një stacion elektronik që çdo 15 minuta bën leximin e nivelit të ujit dhe të prurjeve në sektorin e Përmetit dhe vetëm ky stacion kaq i vogël dhe në një dimension shumë të vogël, përsa i përket gjithë shtrirjes së basenit të lumit Vjosa arrin që të na japë një parashikim diku te gjashtë orë se sa do jetë niveli në pjesën e urës së Mifolit”, bëri të ditur ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Duke iu referuar rasteve si Gjirokastra, pedagogu shpjegon se ndërtimet në zona të pafavorshme gjeologjikisht dhe reshjet intensive në periudha të shkurtra e përkeqësojnë situatën. Ai thekson se përgatitja duhet të bëhet në kohë paqeje, përmes studimeve, hartëzimit me dronë dhe ndërtimit të strukturave mbrojtëse, pasi gjatë emergjencave ndërhyrjet janë të kufizuara vetëm në masa fizike.

Sipas ekspertit, ndjeshmëria institucionale dhe investimi në monitorim hidrometeorologjik janë çelësi për të shmangur kriza të përsëritura në të ardhmen.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos