Turistët popullojnë plazhin, Vlora nuk pret hapjen zyrtare të sezonit

Nga Edi Ruçi dhe Gazmend Janku
26 Prill 2026, 13:32 | Aktualitet

Sezoni ende nuk është hapur zyrtarisht, por plazhet e Vlorës dhe bregdeti janë të populluara me turistë vendas dhe të huaj. Disa shëtisin, të tjerë marrin rreze dielli, ndërsa nuk mungojnë as ata që lahen në det.

Të huajt nuk është e vështirë ti hasësh përgjatë bregdetit dhe kanë mjaftuar pak kohë që Vlora t’u hyjë në zemër.

"Ne jemi nga Suedia, ne nuk e njohim shumë qytetin, sepse kemi arritur këtu dje, por mesa po shohim duket shumë i bukur. Një plazh shumë i bukur. Nuk dimë shumë, por mendoj se ka ardhur koha të zbulojmë më tepër, pasi kemi tepër dëshirë", shprehet një turiste për A2 CNN.

"Këtu është shumë mirë, shumë bukur. Më së shumti ne tashmë po shijojmë motin e mirë në këtë qytet. Qëndruam dy ditë në Tiranë dhe më pas erdhëm drejt Vlorës. Do të qëndrojmë këtu 2 apo 3ditë dhe më pas nuk e dimë. Nuk e njohim shumë qytetin por me shikim të parë, më pëlqen deti, klima dhe malet që gjenden këtu. Ne nuk e kemi këtë gjë në Suedi, dhe na pëlqen shumë”, thotë një tjetër për A2 CNN.

E ndërsa natyra na e ka falur detin, ne duhet ta mbajmë atë pastër, pasi ka turistë që shikojnë dhe konstatojnë edhe papastërtitë në bregdetin e bukur të Vlorës.

"Ky vend është shumë i bukur. Por mendojmë gjithashtu se ka tepër ndotje, ndaj themi se është tepër e nevojshme që të pastrohet. Mendoj se do të ishte mirë që të organizojnë diçka, ndoshta me shkollat që të pastrohet, do të ishte ide e mirë. Është shumë i bukur, sepse plazhi është tepër i madh”, deklaron një tjetër turiste për A2 CNN.

Me sa duket, Vlora tashmë e ka humbur qetësinë e dimrit. Turistët kanë gjallëruar rrugët dhe ditë pas dite do të jenë më të shumtë në një sezon që synon të tërheqë më shumë turistë se ai i kaluari. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos