Shqipëria do të synojë menaxhimin e diferencuar të mbetjeve. Ndonëse u provua, por pa sukses në Tiranë, Ministria e Mjedisit ka hartuar një projektvendim i cili dikton marrjen e masave nga njësitë e vetëqeverisjes vendore në funksion të grumbullimit të diferencuar të mbetjeve bashkiake.
“Objekti i këtij vendimi është miratimi i kritereve, procedurave dhe afateve për zbatimin e grumbullimit të diferencuar të mbetjeve, me qëllim lehtësimin ose përmirësimin për përgatitjen për ripërdorim, riciklim dhe operacioneve të tjera të rikuperimit për rrymat e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë”, thotë Ministria e Mjedisit, shkruan A2.
Me zbatimin e nismës ligjore synohet që deri në vitin 2035 të riciklohet 55 për qind e plastikës, 30 për qind e drurit, 60-80 për qind e metaleve dhe 85 për qind e letrës e kartonit. Në dokument janë specifikuar edhe llojet e mbetjeve që do t’i nënshtrohen menaxhimit të diferencuar: “Mbetje shtëpiake të përziera dhe mbetje të grumbulluara në mënyrë të diferencuar, duke përfshirë letrën dhe kartonin, qelqin, metalet, plastikën, mbetjet bio, drurin, tekstilet, ambalazhet, pajisjet, përfshirë të gjitha pjesët përbërëse të tyre individuale apo të bashkuara dhe materialet e konsumit, që janë pjesë përbërëse e këtyre pajisjeve, mbetjet e baterive, mbetjet e vëllimshme, duke përfshirë mobiliet, dyshekët dhe të ngjashme”.
Ministria e Mjedisit ndërkohë është e ndërgjegjshme që zbatimi i kësaj politike është një rrugë e vështirë. Pritshmëritë janë që deri në vitin 2045, të arrihet të ricikohen 65 për qind e mbetjeve në vend: “Lidhur me sugjerimet për standardizimin e ngjyrave, formës së kontejnerëve, frekuenca minimale e pastrimit, dezinfektimit dhe përdorimi i kontejnerëve me sensorë, sqarojmë se këto kritere dhe procedura përcaktohen nga vetë njësia e vetëqeverisjes vendore duke marrë në konsideratë rrymën mbetjeve, densitetin e popullsisë dhe kushtet teknike e infrastrukturore të zones”.
Mbrojtja e mjedisit është testi që Shqipëria ende duhet të kalojë. Edhe në raportin e fundit të progresit nga Komisioni Europian, vendi nuk arriti të merrte një notë kaluese bindëse. (A2 Televizion)