Vdekja e 3-vjeçarit në klinikën dentare, Prokuroria dërgon në gjyq 7 persona

Nga A2 CNN
6 Shkurt 2026, 11:00 | Aktualitet

Vdekja e 3-vjeçarit në klinikën dentare, Prokuroria dërgon

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq 7 persona, mes të cilëve 3 për vrasje nga pakujdesia, në lidhje me vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu, që humbi jetën pas një ndërhyrje dentare në një klinikë në kryeqytet.

Shtetasit Roland Xhaxho dhe Marta Gina do të shkojnë në gjyq për veprat penale “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Mashtrim” e kryer në bashkëpunim.

Ndërkaq Ina Xhaxho do të gjykohet për veprat penale “Vrasje nga pakujdesia”, “Mashtrim” e kryer në bashkëpunim dhe “Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm”.

Për shpërdodim detyre do të gjykohen shtetasit E.S. dhe E.A. dhe D.A. dhe V.H. për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.

 

Më datë 28.09.2023, i mituri B.S., iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë, tek Klinika “Splendent” drejtuar nga mjekët R.Xh dhe I. Xh. Pas ndërhyrjes i mituri kthehet në shtëpi dhe brenda pak orësh dërgohet në gjendje të rëndë shëndetësore (koma dhe insuficencë respiratore akute), në Spitalin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë, ku dhe më pas në datën 01.10.2023, ndërroi jetë. Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, nga ana e grupit ekspertëve italianë, u arrit në konkluzionin se: Shoku septik i rëndë, që solli më pas insufiçencën progresive shumëorganore, është shkaku kryesor i vdekjes të pacientit të mitur B.S. Grupi i ekspertëve arriti në përfundimin se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që trajtuan të miturin, u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij”, thuhet në njoftim.

Këto shkelje kanë konsistuar në:

- moszbatimin, moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit; mosformulimin në mënyrë adekuate të diagnozës para operacionit dhe mostrajtimin e duhur profilaktik para operacionit dhe në vazhdim, i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrë adekuate, pa një diagnozë të saktë, pa një indikacion të arsyetuar, pa specifikuar alternativat dhe pa kryer testet e nevojshme dhe të detyrueshme për gjendjen klinike të pacientit;

- ndërhyrje e kryer, e cila ishte më e gjerë se sa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për trajtim të tepërt.

- nxjerrjen plotësisht e papërshtatshme nga spitali i të miturit, duke mos marrë parasysh gjithashtu rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi, pas ndërhyrjes si dhe shenja të tjera klinike.

Gjithashtu nga hetimi rezultoi e provuar se dy stomatologët I.Xh dhe M.G. kanë mashtruar prindërit e të miturit duke i marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia rezultoi se 6 prej tyre ishin hapur por nuk ishin mbushur. Për këtë fakt, ndaj tyre u ngrit akuza për nenin 143/2 të K.Penal. Ndërkohë nga hetimi, u provua që stomatologia I.Xh. pas ngjarjes ka vazhduar ushtrimin e aktivitetit të saj në mënyrë të paligjshme, pasi nuk ka rinovuar, në përputhje me procedurat ligjore, licencën si stomatologe nga Urdhri i Stomatologut”, vijon njoftimi.

Gjatë hetimeve u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore edhe nga ana e ekspertëve të I.M.L.-së, shtetasit E.S dhe E. A.

Gjithashtu shkelje u konstatuan edhe tek mjekët roje të pediatrisë V.A. dhe D.S. në momentin që i mituri u dërgua në spital. Mjekët nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të diagnozës së duhur, evidentimin e shkaqeve më të zakonshme të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë.

Si rrjedhojë edhe moskryerja e veprimeve të tyre ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të të miturit, edhe pse ai ishte në gjendje të rëndë, fakt që rezultoi nga akti i riekspertimit, pasi vdekja e tij nuk erdhi nga mosveprimet e tyre, por nga shkaku kryesor dhe i drejtpërdrejtë, që ishin veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve Roland Xhaxho, Ina Xhaxho dhe Marta Gina.

 

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos