Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë ka njoftuar qytetarët dhe bizneset se ka pasur ndërprerje në furnizimin me ujë si pasojë e stakimeve të energjisë elektrike në zonat ku ndodhen stacionet e ujësjellësit, si dhe për shkak të një avarie në një nga stacionet kryesore, një një kohë kur sezoni turistik tashmë ka nisur.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ditës së djeshme janë regjistruar stakime të energjisë që kanë shkaktuar anomali në procesin e transmetimit dhe shpërndarjes së ujit në qytetin e Vlorës. Për më tepër, gjatë mesnatës është ndalur funksionimi i Stacionit Nr.4, një ndër më të rëndësishmit në rrjetin e furnizimit, për shkak të një defekti teknik.
Këto probleme kanë sjellë mungesë furnizimi me ujë gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në një pjesë të madhe të qytetit. Autoritetet bëjnë me dije se situata do të vazhdojë të shoqërohet me ndërprerje të tjera të pjesshme gjatë ditës, për të mundësuar furnizimin e depove me ujë dhe rregullimin e rrjetit.
Ujësjellësi i Vlorës thekson se ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë me intensitet për të kryer ndërhyrjet e domosdoshme, me qëllim rikthimin sa më shpejt të normalitetit në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm. Qytetarët janë të lutur të tregojnë mirëkuptim deri në përfundimin e plotë të punimeve. (A2 Televizion)