Zbulimet arkeologjike në Lin, si Mozaiku i Bazilikës Paleokristiane dhe Palafitet, që e nxjerrin këtë zonë si vendbanimin më të vjetër në Europë, kanë shtuar ndjeshëm interesin e turistëve të huaj. Vetëm në 7 muajt e parë të vitit, fshati ka pritur mbi 5 mijë vizitorë, kryesisht të huaj, të cilët shfaqin interes të veçantë për historinë dhe arkeologjinë e zonës.
Por, ndërsa vijnë të interesuar për historinë, turistët surprizohen nga natyra piktoreske, ushqimi tradicional dhe gjithçka që gjejnë pranë liqenit të Pogradecit, duke mbushur kështu edhe bujtinat. Menaxherja e një prej bujtinave në Lin thotë se interesi i të huajve është në rritje të vazhdueshme krahasuar me vitet e mëparshme, shkruan A2 CNN.
Megjithatë, një problematikë që është raportuar edhe nga vetë vizitorët mbetet infrastruktura rrugore. Ajo kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të ofruar lehtësirat e nevojshme për turistët dhe pushuesit, të cilët pritet të rriten në numër, sidomos pas konfirmimit zyrtar të Linit si vendbanimi më i vjetër në Europë, me një moshë rreth 8.500-vjeçare. (A2 Televizion)