Prej disa orësh, efektivët janë angazhuar në terren, duke luftuar intensivisht me flakët në zonat e Çerkovicës dhe Dhivrit, në bashkinë Finiq, të cilat u aktivizuan paraditen e sotme.
Ministria e Mbrojtjes njofton se ekipet po ndihmojnë në evakuimin e përkohshëm dhe shoqërimin e banorëve brenda perimetrit të sigurisë së përcaktuar, shkruan A2 CNN.
Ekipet e zjarrfikësve, të mbështetura nga trupat e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe me ndërhyrjen nga ajri, po punojnë për të vënë nën kontroll flakët.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin me strukturat në vend për të garantuar eliminimin e rrezikut në zonë, raporton A2 CNN.
Paraditen e sotme ministrja e Mbrojtjes bëri të ditur se gjatë orëve të fundit janë evidentuar 25 vatra zjarri, ndër të cilat vetëm një ishte aktive.
“Në malin mbi fshatin Dhivër, bashkia Finiq, është aktivizuar një vatër zjarri në sipërfaqe pyjore në lartësi, si pasojë e një shkarkese nga rrufeja, dhe po mbahet nën kontroll nga MZSH lokale”, njoftoi në mëngjes, duke u bërë thirrje banorëve, të tregohen të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë në kohë vatrat. (A2 Televizion)