Zgjedhje nga qelia, burgjet rrisin masat e sigurisë, 3087 të izoluar të drejtë vote

Nga A2 CNN
9 Maj 2025, 17:43 | Aktualitet

Zgjedhje nga qelia, burgjet rrisin masat e sigurisë, 3087 të izoluar

Të gjitha institucionet e burgjeve dhe paraburgimet në vend do të rrisin nivelin e sigurisë në fundjavë, për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Me qëllim garantimin e mbarëvajtjes të procesit të votimit, por edhe parandalimin dhe shmangien e çdo ngjarje të mundshme kriminale, Policia e Burgjeve ka planizuar shërbime të shtuara në të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në vend.

Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme e Burgjeve, bënë me dije se masat do të vijojnë gjatë gjithë procesit të votimit, nga garantimi i të drejtës së votimit për çdo person të izoluar që e ka atë, tek shoqërimi i tyre drejt qendrës së votimit dhe shmangia e çdo incidenti. 

Sipas burimeve, në secilin prej institucioneve të burgjeve në vend janë përgatitur ambientet, që do të shndërrohen në qendra votimi. Po ashtu, në vijim Drejtoria e Burgjeve do të autorizojë kalimin në regjimin e brendshëm të burgjeve të të gjithë komisionerëve të miratuar nga KQZ si pjesë e komisioneve në Qendrat e Votimit në Burgje. 

Sipas të dhënave zyrtare, në burgjet dhe paraburgimet e vendit kanë të drejtën e votës 3087 të dënuar e të paraburgosur. Të drejtën e votimit nga kjo kategori nuk e kanë gati 1357 individë të tjerë, për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos