Ushtarë nga Shqipëria e Kosova dhe mbi 500 qytetarë të përfshirë, vijon operacioni i kërkimit për punëtorin e humbur në fabrikën e kromit në Klos

Nga A2 CNN
8 Maj 2025, 16:54 | Aktualitet

Ushtarë nga Shqipëria e Kosova dhe mbi 500 qytetarë të

Vijon prej 5 ditësh tashmë operacioni i kërkimit për punëtorin e një fabrike të përpunimit të kromit në bashkinë Klos, i cili i zu nga një masiv dheu dhe inertesh teksa po punonte, shkruan A2 CNN.

Që nga dita e parë, janë angazhuar forca të shumta për kërkimin e trupit të tij. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM) po drejton operacionin me 74 punonjës dhe pajisje të specializuara si kamera termike dhe skanera nëntokësorë. Gjithashtu, Forcat e Armatosura kanë dërguar 151 efektivë nga disa reparte, ndërsa Policia e Shtetit ka vendosur në terren 24 efektivë.

Mbështetje të madhe kanë dhënë edhe 535 vullnetarë nga komuniteti lokal, të cilët po punojnë krahas dy ekskavatorëve në zonën më problematike. Urgjenca Mjekësore, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe strukturat e bashkive Klos e Mat janë gjithashtu aktive në terren.

Për shkak të vështirësisë së terrenit, më 7 maj iu bashkua operacionit një ekip i specializuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës me 12 efektivë dhe 2 qen kërkimi. Rrëshqitja ka përshkuar një distancë prej rreth 6 km në një zonë të thepisur dhe të vështirë për ndërhyrje.

Operacioni mbetet në vijim, ndërsa strukturat qendrore dhe vendore janë të angazhuara maksimalisht për të gjetur trupin e punonjësit të zhdukur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos