Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vënë në dispozicion një numër për qytetarët në ditën e zgjedhjeve për të denoncuar shkeljet apo krimet elektorale që ata do të pikasin.
Kështu, në njoftimin e SPAK shkruhet se numri ku mund të bëhen denoncimet është 0800-04-05, i cili do të jetë aktiv nga ora 07:00 deri në 19:00 të 11 majit.
Në fund të shkurtit, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi firmosën Protokollin e Koordinimit dhe Bashkëpunimit midis Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ky protokoll synon garantimin e integritetit të procesit zgjedhor për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2025 dhe parashikon masa të koordinuara për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me zgjedhjet.
Protokolli synon forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve për të siguruar një shkëmbim të shpejtë dhe efikas të informacionit mes institucioneve përgjegjëse për ndjekjen e veprave penale zgjedhore.
Në këtë kontekst, angazhimi i përbashkët i palëve nënshkruese do të mundësojë koordinimin efektiv të veprimeve hetimore, duke krijuar mekanizma të qëndrueshëm për monitorimin dhe ndjekjen ligjore të çdo rasti që cenon procesin zgjedhor. (A2 Televizion)