2600 biznese në tregun e lirë të energjisë, Gjenerali: Nga 1 janari 2025 do të zgjedhin vetë furnizuesin

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2024, 19:38 | Ekonomi

2.600 biznese të lidhur në rrjetin e tensionit 10 kilovolt do të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike duke filluar nga 1 janari i vitit 2025. Bizneset do të zgjedhin vet furnizuesin e tyre duke u përballur me çmimet e bursës.

“Ju bëj thirrje që brenda datës 15 dhjetor të 2024 të paraqiten pranë zyrave të Furnizuesit të Tregut të Lirë ose në çdo pikë të kujdesit të klientit të OSHEE Group për të marrë informacione përkatëse përsa i përket lidhjes së kontratës në treg të lirë. Ata janë të detyruar që deri në datën 15 dhjetor të deklarojnë një furnizues të tregut të lirë. Nëse nuk e kryejnë këtë proces, rrezikojnë që nga 1 janari 2025 t’iu ndërpritet energjia elektrike. Është shumë e rëndësishme që ta marrin shumë seriozisht këtë njoftim sepse dalja në treg të lirë është detyrim ligjor”, shprehet Albi Gjenerali.

Furnizuesi i Tregut të Lirë është një ndër operatorët që bizneset mund të lidhin kontratë për energjinë elektrike. Por çfarë do të thotë për bizneset dalja në tregun e lirë të energjisë elektrike?

“Furnizimi në treg të lirë do të thotë që shteti nuk është më i detyruar të furnizojë këta klientë pasi supozohet që janë klientë mjaftueshëm të aftë të gjejnë furnizues dhe të negociojnë kontratat e tyre të furnizimit me çmimet përkatëse të tregut, sipas ecurisë së bursave”, shton Gjenerali.

“Subjektet e lidhur me 10 kilovolt mund të lidhin kontratë me FTL për çmimin stabël 18.34 lekë pa TVSH. Mund të ketë furnizues që bëjnë oferta mbase edhe më të ulëta të çmimit të energjisë elektrike, por historia ka treguar që janë joseriozë në furnizimin e klientëve të tyre. FTL ofron një mundësi shumë të mirë për ta sepse ofron kontratë me çmim fiks për ta për një periudhë minimumi 1-vjeçare, çfarë ju jep mundësinë të bëjnë edhe planet e biznesit”.

Në janar të këtij viti dolën në treg të lirë 2.100 biznese të lidhur në rrjetin e tensionit 20 kilovolt, ndërsa liberalizimi i subjekteve pritet të vijojë edhe me ata që janë të lidhur në rrjetin e tensionit 6 kilovolt. Në treg operojnë rreth 15  furnizues privatë por FTL  është një  opsion që mund të përzgjidhet nga bizneset teksa çmimi i energjisë për këta klientë do të jetë 18.34 lekë/këh, pa tvsh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos