Balluku inspekton sportelet e e-Albania në Lushnjë: Ndihma për qytetarët është falas, abuzuesit me pagesë do të ndëshkohen

Nga Marjo Brakaj
15 Korrik 2025, 18:31 | Ekonomi

Balluku inspekton sportelet e e-Albania në Lushnjë: Ndihma për

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku vizitoi nga afër sportelet në bashkinë e Lushnjës, ku tashmë ofrohet shërbimi për qytetarët që kanë nevojë për asistencë për aplikime të ndryshme në portalin e-Albania.

E shoqëruar nga kryetarja e bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, ministrja Balluku tha se “kemi nisur një inspektim në të gjitha bashkitë për të parë se si ju tashmë keni filluar të jepni shërbimin e mbështetjes për të gjithë ata qytetarë, të cilët nuk arrijnë të aksesojnë e-Albania nga telefonat apo nga pajisjet e tjera elektronike të tyre”.

Balluku theksoi se “kemi identifikuar në treg përgjithësisht në disa nga zyrat e avokatëve dhe noterëve janë duke ofruar me pagesë ndihmën për e-Albania. Kjo platformë është një nga projektet që na bën krenarë ne si qeveri dhe është pjesë e të gjithë procesit të digjitalizimit të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë. Është totalisht falas, e aksesueshme për të gjithë qytetarët që kanë kodin e tyre personal”.

Çdo zyrë avokatie apo noterie, vijoi Balluku, që merr para për këtë shërbim dhe që e ofron këtë si një shërbim të tyre është në shkelje totale të ligjit dhe ministri i Drejtësisë dhe gjithë skuadra e kësaj ministrie kanë marrë përsipër të venë rregull sa i përket këtij abuzimi, shkruan A2 CNN.

“Ndërkohë që moshat e thyera, apo ata që mund të kenë pamundësi për sa i përket pajisjeve elektronike, duhet të mbështeten nga bashkitë”, shtoi ajo.

Balluku e vuri theksin edhe tek domosdoshmëria e një punonjësi në njësitë administrative, i cili, sipas saj, ndërkohë që kryen detyra të tjera mund të ndihmojë qytetarët sa i përket këtij shërbimi.

Kryebashkiakja Sefa tha se “e kemi afishuar njoftimin, në mënyrë që të gjithë qytetarët që vijnë pranë bashkisë për të marrë shërbime të tjera të shikojnë mundësinë që këtu ofrohet edhe shërbimi online i e-Albania”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos