Administrata Tatimore: Tregtarët ambulantë nuk kanë detyrim për faturë apo dokumentacion tatimor

Nga A2 CNN
15 Korrik 2025, 13:32 | Ekonomi

Administrata Tatimore: Tregtarët ambulantë nuk kanë detyrim

Administrata Tatimore informon opinionin publik dhe individët e regjistruar si “tregtarë ambulantë” se, bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi, nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë tatimore dhe as për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat apo shërbimet që tregtojnë.

Ky përjashtim parashikohet në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, konkretisht në nenin 5, pika 1, gërma c). Gjithashtu, ligji nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 5, pika 1, gërma j), përcakton qartë statusin dhe kushtet e ushtrimit të aktivitetit të tregtarëve ambulantë, shkruan A2.

Detyrimet e vetme të një tregtari ambulant janë:

Të jetë mbi moshën 16 vjeç;

Të jetë i vetëpunësuar dhe të mos punësojë për persona të tjerë;

Të tregtojë në hapësira publike me leje të lëshuar nga Bashkia përkatëse;

Të jetë i regjistruar si ambulant pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore;

Të paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; Tarifën për zënien e hapësirës publike; Taksat bashkiake të aplikueshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos