
Bordi i Transparencës ka vendosur këtë të enjte çmimet e reja për karburantet në vend. Sipas vendimit, nafta do të tregtohet deri në 210 lekë/litër me pakicë, duke e ulur me 10 lekë në krahasim me një ditë mëpare dhe 198 lekë/litër me shumicë, ndërsa benzina deri në 173 lekë/litër me pakicë dhe 161 lekë/litër me shumicë.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi sot në orën 14:30, dhe do të mbeten në fuqi deri në një vendim të ri. Autoritetet paralajmërojnë se çdo shkelje nga operatorët do të ndëshkohet deri në pezullim aktiviteti.
Sipas njoftimit, çmimet aktuale janë nën kufirin e përcaktuar nga akti normativ, çka do të thotë se akciza do të aplikohet në nivel të plotë, 100%.
Njoftimi i plotë
Bordi i Transparencës në datë 9 Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 210 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 173 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 161lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 9 ora 14.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtej vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë per llogaritjen e cmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%. (A2 Televizion)