Paradoksi mes realitetit e statistikave, në mars u shtrenjtua gjithçka, INSTAT raporton inflacion 2,6%

Nga Marjo Brakaj
8 Prill 2026, 15:01 | Ekonomi

Nga karburantet te zarzavatet, çmimet u rritën me mbi 50 për qind muajin e shkuar por Instituti i Statistikave raporton se inflacioni në mars ishte vetëm 2.6 për qind. Teksa në pikat e karburanteve nafta kërceu mbi 200 lekë për litër ndërsa në tregje domatja e specat ishte vështirë t’i gjeje për më pak se 350 lekë kilogrami, INSTAT vlerëson se treguesi i zhvlerësimit të parasë përballë shtrenjtimit të jetesës u rrit me vetëm 0.1 për qind se krahasuar me shkurtin.

Edhe më të papërputhshme duken statistikat e INSTAT nëse merren veçmas të dhënat për ushqimet dhe pijet. Institucioni raporton se te kjo kategori produktesh inflacioni ishte në nivelin e vetëm 1.3 për qind nga 1.7 për qind në shkurt. Sipas INSTAT, çmimet e ushqimeve nga shkurti në mars janë rritur me vetëm 0.4 për qind, shifër kjo larg realitetit me të cilin qytetarët përballen.

Në më pak se 48 orë nga operacioni amerikano-izraelit në Iran karburantet në Shqipëri u rritën për të vijuar shtrenjtimin gjatë gjithë marsit, por INSTAT vlerëson se inflacioni ishte vetëm 4.8 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Madje sipas institucionit që prodhon statistikat zyrtare, krahasuar me shkurtin e këtij viti, inflacioni te karburantet e energjia ishte në rënie me 0.1 për qind.

Statistikat e INSTAT vijnë në një kohë që qytetarët, veçanërisht të moshuarit përballen me kosto jetese gati të papërballueshme. Me këtë normë inflacioni zyrtare që nuk përputhet me realitetin në terren qeveria nuk është në kushtet për të hartuar ndonjë paketë ndihme për shtresat më në nevojë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos