
Shqipërinë e kanë vizituar gati 1.7 milionë të huaj në tre muajt e parë të vitit. Të dhënat tregojnë se, në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, hyrjet e turistëve nga jashtë janë zgjeruar me 3 për qind, shkruan A2CNN.
Jetmira Hoxha, operatore turistike
“Kryesisht janë turistë për herë të parë, por ka edhe nga ata që vijojnë të kuriozohen e të vizitojnë pjesë të tjera të vendit. Shifrat ndihen edhe te ne. Mund të them se viti ka nisur mjaft mbarë”, tha Jetmira Hoxha, operatore turistike.
Pjesa më e madhe, gati gjysma e tyre, janë nga Kosova, duke konsideruar besnikërinë e qytetarëve të vendit tjetër shqipfolës. Ngjashëm me vitin e shkuar, lista pasohet nga italianët dhe malazezët. Peshë të konsiderueshme në totalin e turistëve që kanë vizituar vendin në tre muajt e parë të vitit zënë edhe pushuesit nga Maqedonia e Veriut, nga Greqia, Anglia, Turqia, Serbia e Polonia.
“Të paktën deri më tani pushuesit nga Kosova nuk mungojnë. Mund të them si në vitet e mëhershme, pavarësisht liberalizimit të vizave. Pjesa tjetër vijon siç ka qenë thuajse”, tha operatorja.
Në një kohë që numri rritet dhe gjeografia e turistëve zgjerohet, bashkë me to po shtohen edhe ankesat e tyre.
“Një pjesë të vjetra e të tjera të krijuara rishtazi. Ankohen kryesisht për abuzimet me çmimet këtë vit dhe shërbimin. Është ‘themra e Akilit’ për ne”, tha Jetmira.
Marsi rezulton si muaji më i mbarë që nga fillimi i vitit për turizmin. Vendin rezulton ta kenë vizituar gati 610 mijë të huaj. Në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë, shifra është zgjeruar me gati 11 për qind. (A2 Televizion)