Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë mbetet i brishtë nga korrupsioni i përhapur, konkurrenca e shtrembëruar dhe mungesa e vazhdueshme e fuqisë punëtore. Janë këto disa nga përfundimet e Departamentit Amerikan të Shtetit në raportin e këtij viti për klimën e investimeve të Shqipërisë. Në raport, DASH nënvizon se vendi ka gjithashtu një sektor të madh informal dhe se vuan nga fenomeni i pastrimit të parave, duke mbetur në vendnumëro në drejtim të klimës së të bërit biznes
“Në pikëpamjen time si investitor, unë mendoj se jemi në një fazë prove. Deri vonë kemi qenë në fazën e aventurës, vetëm më të guximshmit vini. Tani shikojmë që ka disa lajme pozitive për Shqipërinë dhe le të themi që jemi në një fazë fillestare”, deklaroi Mark Crawford, investitor amerikan.
Raporti thekson se komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg.
“Qeveria duhet të sigurohet veçanërisht të mbajë ata që janë këtu dhe të joshë të tjerë. Shqipëria ka një potencial të madh ekonomik, një kuadër ligjor të shëndoshë dhe ka bërë përparim në kufizimin e korrupsionit në nivel të ulët, duke digjitalizuar shërbimet publike si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Megjithatë, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes”, tha Crawford.
DASH-i përmend faktin që Shqipëria ndërmori reformën në drejtësi për të luftuar korrupsionin sistematik duke theksuar se vendi “ka organe funksionale dhe të pavarura kundër korrupsionit, duke përfshirë Zyrën e Prokurorisë së Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit
“Problemeve të vjetra të korrupsionit dhe informalitetit tani u është shtuar edhe kursi i këmbimit i cili dëmton ata investitorë eksportues”, shtoi Crawford.
Më herët, në Indeksin e Besimit të Bizneseve mbi ecurinë e vitit të shkuar dhe pritshmëritë për në vijim të realizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, vendi u vlerësua me 47.57 nga 100 pikë të mundshme. Në krahasim me një vit më parë treguesi është përmirësuar me 4.15 pikë. (grafik 1) Ndër problematikat që bizneset hasin në Shqipëri sipas AMCHAM që konfimrohen edhe nga DASH janë edhe monopolet në tregje që sjellin konkurrencë të pandershme, informalitetit, burokracitë dhe sistemi fiskal që ndryshohet shpesh. (A2 Televizion)