Pensionistët kërkuan dinjitet, morën rritje të vogël

Nga Mario Brakaj
30 Qershor 2025, 15:04 | Ekonomi

Pak më shumë se 1200 lekë në qytet dhe 827 lekë në fshat... Kaq para më tepër morën të moshuarit shqiptarë vitin e shkuar.

Të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se nga 18 341 lekë në 2023-shin, pensioni mesatar urban vjet u rrit në 19 609 lekë.

Edhe më pak u rritën pensionet në fshat. Një i moshuar në zonat rurale mori vitin e shkuar mesatarisht 11 878 lekë. Krahasuar me 2023-shin, pagesa mujore u rrit me vetëm 827 lekë, shkruan A2.

Në një vit ku inflacioni erdhi duke u zbehur, por çmimet mbetën lart, pensionistët shqiptarë vazhduan të ecin në një fije peri mes nevojave dhe realitetit të ashpër të tregut.

Faik Xhani, nga “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”, tha: “Ka pasur një kthim vëmendje, por këto janë të pamjaftueshme. 65% e tyre vuajnë nga sëmundje kronike, zemra, diabet etj...”.

Në Shqipëri, një pensionist jeton mesatarisht 22,4 vite pasi del në pension. Ajo u shkurtua në raport me vitin 2023. Kaq zgjat "koha e gëzimit", pas dekadash pune, sakrificash e pritjesh. Por, a është vërtet gëzim kur pensioni nuk mjafton as për ilaçet? A mund të quhet pushim kur çdo muaj bëhet matematikë për mbijetesë?

Faik Xhani shprehet: “Këta deputetë po marrin votat e pensionistëve. Pse nuk i rrisin pensionet e të moshuarve lind pyetja”.

Edhe vitin e shkuar, pensionistët shqiptarë u gjendën sërish në udhëkryq: mes një premtimi për mirëqenie dhe një realiteti që i detyron të zgjedhin mes ilaçeve dhe bukës. Në një vend ku ekonomia rritet, por përfitimet nuk shpërndahen njësoj, mosha e tretë endet ende në kërkim të dinjitetit që u takon.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos