Në Korçë janë instaluar tre stacione moderne meteorologjike, të cilat synojnë të ndihmojnë fermerët duke sjellë një frymë të re në mënyrën e punës së tokës.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se këto stacione ndihmojnë fermerët të parashikojnë më mirë ndryshimet klimatike, të menaxhojnë dëmtuesit dhe sëmundjet dhe të përdorin burimet në mënyrë më efikase.
“Janë instaluar tre stacione meteorologjike moderne, të pajisura me sensorë dhe kurthe digjitale, për të mbështetur fermerët në kultivimin e mollëve dhe qershive, një hap konkret drejt fuqizimit të bujqësisë së zgjuar”, theksoi ministrja Denaj.
Nisma ndihmon drejtpërdrejt në ndërtimin e qëndrueshmërisë afatgjatë ekonomike për sektorin bujqësor në Korçë, duke e bërë bujqësinë një aktivitet më të qëndrueshëm dhe fitimprurës, pavarësisht sfidave të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, shkruan A2 CNN.
Sipas ministres Denaj, kjo iniciativë e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me GIZ, është pjesë e vizionit “Bujqësia2030”, që synon një bujqësi të qëndrueshme, të pajisur me dije dhe teknologji, dhe i jep fermerit fuqinë për të përballuar sfidat e së ardhmes.
Ministrja Denaj tha se ky investim është realizuar nga GIZ Albania dhe WB Adapt, në bashkëpunim me QTTB Korçë, AREB Korçë dhe ADAD Malore. (A2 Televizion)