Ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi ka ngritur alarmin për rritjen e ndjeshme të çmimeve të produkteve ushqimore në vend, duke theksuar se situata e luftës po rëndon drejtpërdrejt mbi konsumatorin shqiptar.
E ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, ajo deklaroi se “produktet e shportës, dhe sidomos frutat dhe perimet, kanë pësuar një rritje tepër të lartë”, duke theksuar se kjo lidhet edhe me dobësinë e prodhimit vendas.
“Për disa produkte kemi rritje pothuajse 100 për qind, për disa produkte kemi rritje 50 për qind. Kjo ndodh për shkak të mungesës së prodhimit vendas, sidomos te perimet,” u shpreh Radonshiqi.
Sipas saj, rritjen më të ndjeshme e kanë pësuar perimet, me domaten si shembullin më ekstrem. “Domatja ka pësuar një rritje tepër të lartë, por edhe frutat. Janë produkte bazë që çdo familjar i ka në tryezë,” tha ajo.
Ekspertja theksoi gjithashtu se rritja e çmimeve nuk kufizohet vetëm te prodhimet vendase, por prek edhe produktet e importuara. “Edhe produkte si mielli, sheqeri, orizi, vaji – që janë produkte që ne i importojmë – kanë pësuar rritje për shkak të kostos së transportit,” nënvizoi ajo, duke lidhur këtë zhvillim me situatat ndërkombëtare dhe ndikimin e konflikteve.
Në fund, Radonshiqi paralajmëroi për pasojat direkte te qytetarët: “Besoj që konsumatori shqiptar do të ulë fuqinë blerëse. Rritja e çmimeve ecën me ritme më të shpejta se sa indeksimi i pagave.” (A2 Televizion)