Me përmasa ndjeshëm më të vogla, jo në formën e një qyteti-resort në lartësinë e 1 mijë 560 metrave, pa bileta të kripura për të hyrë por gjithsesi me pjesëmarrës të profilit të lartë. Një copëz nga formati i “Davosit zviceran” do të vijë edhe Tiranë. Pagëzuar si “Future Investment Initiative Europe”, për herë të parë do të mbahet në Shqipëri samiti ekonomik ndërkombëtar me në qendër fabulën "Investoni në një Evropë të Lidhur”.
Ky takim që do të mbledhë ndër investitorët më me ndikim në botë, liderë të njohur biznesi, dhe krerë shtetesh do të mbahet në datat 16 dhe 17 maj.
Samiti, që përkon dhe me takimin e Komunitetit Politik, do të organizohet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, dhe do të inaugurohet më 17 maj në pjesën e tij kryesore nga presidenti francez Emanuel Macron, në vizitë zyrtare në kreyqytetin shqiptar dhe kryeministri Edi Rama.
Në program thuhet se brishtësia dhe fragmentimi po drejtojnë ekonominë globale, ndërkohë që parashikimet e institucioneve financiare tregojnë për ngadalësim të ekonomisë për shkak të tensionet gjeoekonomike dhe presionet e vazhdueshme inflacioniste.
“Evropa mund t'i transformojë tensionet tregtare në mundësi, duke u shfaqur si një dritë e kohezionit ekonomik në një botë gjithnjë e më të ndarë”, thuhet në dokumentet e këtij samiti special.
Në këtë edicion special të samitit do të diskutohen 8 fusha kyçe. Fragmentimi dhe gjeo-ekonomia, siguria dhe pavarësia energjetike, inteligjenca artificiale dhe robotika, kujdesi shëndetësor, industria e prodhimi, tregtia, turizmi dhe inovacioni në sipërmarrje.
Samiti i fundit është zhvilluar në muajin shkurt në Miami, ku pjesëmarrës ishte presidenti amerikan Donald Trump. Vetëm në samitet e organizuar nga ‘Future Investment Initiative Europe’ janë lidhur marrëveshje me vlerë mbi 200 miliardë dollarë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe në vende nga gjithë bota.
(A2 Televizion)