Fushata e rivlerësimit të pronave do të nisë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Tatimi që do të paguhet në rast të shit-blerjes së pronave propozohet të jetë në masën 5 për qind. Ministria e Financave ka hedhur në Konsultim Publik projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.
“Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme kanë të drejtë që, nga data 1 Janar 2026 deri në datën 30 shtator 2026, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Kërkesat për rivlerësim të dorëzuara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të cilat nuk janë procesuar brenda datës 30 shtator 2026,konsiderohen si objekt rivlerësimi sipas këtij ligji, në rast se pagesa e tatimit për to bëhet deri në datë 31 dhjetor 2026.”
Ligji do të përfshijë edhe pasuritë që janë në proces regjistrimi apo legalizimi, ndërsa për subjektet juridike do të kërkohet rivlerësim nga ekspertë të licencuar.
“Përmes këtij procesi, pritet të rriten të ardhurat tatimore dhe të garantohet një trajtim më i drejtë fiskal mbi pasuritë e paluajtshme. Ligji përfshin gjithashtu rivlerësimin e pasurive në proces regjistrimi dhe përcakton procedurat për dorëzimin e kërkesave, llogaritjen e tatimit dhe pagesën përkatëse.”
Rritja e vazhdueshme e çmimeve të banesave është një nga arsyet kryesore që ka shtyrë qeverinë të ndërmarrë këtë hap.
“Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se çmimet e banesave, në rang vendi, kanë shënuar rritje të konsiderueshme. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, indeksi Fischer i çmimit të banesave u rrit me 16.9%, ndërsa në gjashtëmujorin e dytë me 23.6%. Kjo tendencë rritëse, krahasuar me periudhën e fundit të rivlerësimeve në vitin2022, e bën të domosdoshëm një përditësim të vlerës së pasurive të paluajtshme në përputhje me realitetin e tregut.”
Në 13 vitet e fundit janë bërë 5 rivlerësime pronash dhe të gjitha kanë ndodhur përpara zgjedhjeve vendore ose të përgjithshme parlamentare, me tarifa që kanë variuar nga 1 për qind në vitin 2011 në 3 për qind dy rivlerësimet e fundit.
Në mesin e muajit maj, deputetja socialiste Blerina Gjylameti depozitoi në Kuvend projektligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, por nisma mbeti në sirtarët e Kuvendit. (A2 Televizion)