Skandali i mikrokredive, nga kriza e vitit 2008 tek akuza për krim të organizuar

Nga Mario Brakaj
23 Korrik 2025, 15:13 | Ekonomi

Kriza ekonomike e vitit 2008 që përfshiu edhe Shqipërinë la pas rreth 1.1 miliardë euro kredi të këqija. Huatë e papaguara në kohë, niveli i të cilave në vitin 2015 ishte sa 25 % e totalit, gjunjëzuan sektorin bankar në vend. Me filozofinë “aty ku ka kriza ka edhe mundësi”, në vend nisën të krijoheshin kompanitë e para që blinin kreditë e këqija nga bankat, me norma të ulëta interesi, shkruan A2 CNN.

Më pas këto institucione, me ndihmën e zyrave private përmbarimore, detyrimin qytetarët të paguanin shumë të mëdha parash ose përndryshe iu bllokonin banesa e automjete.

Një hetim administrativ i kryer nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020, zbuloi se rreth 17 mijë individë ishin dëmtuar me gjoba të padrejta dhe sekuestrim pronash në skemën e mbledhjes së detyrimeve ishte përfshirë shoqëria “Micro Credit Albania” si dhe një grup zyrash private të përmbarimit, noterë dhe shoqëri të tjera të lidhura me të.

Nga ana tjetër hetimi i kryer nga Prokuroria e Tiranës vlerësoi se përgjegjësitë mund të shtriheshin deri te Banka e Shqipërisë dhe guvernatori i saj për masa të vonuara ose të papërshtatshme për të frenuar këtë skemë. Edhe pse u kallëzua që në vitin 2020, skandali i mikrokredive u zgjerua dhe u sofistikua nën hundën e institucioneve ligjzbatuese, duke shkaktuar pasoja tejet serioze për mijëra kredimarrës dhe shtyrë drejt vetëvrasjes njërin prej tyre. Pal Trashaj piu fostoksinë në shenjë proteste në oborrin e SPAK, raporton A2 CNN.

Në fund të korrikut të vitit të shkuar presidenti i Republikës, Bajram Begaj me anë të një letre të pa-precedentë i kërkoi Kuvendit të hetojë rolin e Bankës së Shqipërisë në të ashtuquajturin “skandali imikrokredive”.

Më herët, në muajin maj Banka e Shqipërisë iu kishte hequr licencat, duke nxjerrë nga tregu dy subjektet financiare jo banka, përkatësisht shoqërtitë “Final” dhe “Micro Credit Albania” për shkak të abuzimeve me dhënien e kredive.

Sot panorama është më e qartë. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përmbyllur hetimet për një grup të strukturuar kriminal prej 16 individësh dhe 4 kompanish të akuzuara për mashtrime me pasoja të rënda përmes skemave të mikrokredisë dhe mbledhjes së detyrimeve financiare, përcjell A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos