Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, hidhet për konsultim projektligji, ja sa do të vlejnë pronat

Nga Marjo Brakaj
23 Korrik 2025, 15:21 | Ekonomi

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, hidhet për konsultim

Nga Tirana në Durrës, përfshirë rivierën e jugut apo vijën bregdetare të Shëngjinit e Talës... harta e re e referencave do shtrenjtojë edhe më tej çmimet e apartamenteve. Me 10 deri në 20 për qind pritet të rriten çmimet në Tiranë e brigjet e plazheve të veriut, ndërsa me 40 deri në 60 për qind do të shtrenjtohen apartamentet në Himarë, Palasë, Vlorë e Durrës.

Me referencat e reja një metër katror në zonën më të frekuentuar të bregdetit të Durrësit që është ‘Zona 13’ e njohur si lagjja e plazhit, një metër katror pritet të kushtojë 2 mijë euro me rritje 323 për qind në raport me referencën aktuale prej 472 euro/metri. Ngjashëm pritet të shtrenjtohen apartamentet edhe në Gjirin e Lalzit.

Referencat e reja  prekin jo vetëm bashkitë e shtrira përgjatë bregdetit por edhe qytete të tjera që kanë marrë hov zhvillimi vitet e fundit. Mungesa e referencave të pronave për të gjitha bashkitë e vendit u bë shkak edhe për shtyrjen e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme të paralajmëruar për të ndodhur gjatë vitit të shkuar.

Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik projektligjin që parashikon rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me një tatim të reduktuar prej vetëm 5%. Skema u ofron qytetarëve mundësinë që të deklarojnë vlerën reale të banesave apo tokave që zotërojnë, duke paguar një tatim të zbutur, në krahasim me normën standarde që shkon deri në 15%.

Rivlerësimi i pronës me një normë të favorshme tatimi synon të formalizojë tregun e pasurive të paluajtshme dhe të përmirësojë regjistrin real të pasurisë në vend. Sipas Ministrisë së Financave, kjo nismë pritet të ketë ndikim pozitiv edhe në të ardhurat e buxhetit të shtetit dhe në qartësinë e dokumentacionit pronësor.

Projektligji parashikon që procesi i rivlerësimit të kryhet vullnetarisht nga qytetarët, të cilët do të duhet të angazhojnë një ekspert të licencuar për vlerësimin real të pronës. Pasi miratohet vlera e re, qytetari paguan tatimin 5% mbi diferencën mes vlerës aktuale dhe asaj të mëparshme.

Nisma është e ngjashme me atë të vitit 2020, ku mbi 70 mijë qytetarë përfituan nga skema e rivlerësimit. Aktualisht, drafti ndodhet në konsultim publik dhe qytetarët apo grupet e interesit kanë mundësinë të japin opinionet e tyre deri në fund të muajit gusht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos