Kush ka fatura të energjisë elektrike të pa-paguara deri në fund të vitit 2023, do të mund t’i shlyejë ato me këste ose njëherazi duke mos të gjitha kamatvonesat. Abonentët familjarë, bizneset apo institucionet tashmë mund të lidhin “aktmarrëveshje” me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për të shlyer detyrimet. Në varësi të shumës, pagesa mund të kryhet nga 24 e deri në 120 këste.
“Për të përfituar nga skemat lehtësuese të miratuara nga OSHEE Group, klientët debitorë duhet t’i kenë shlyer detyrimet e vitit 2024 dhe në vijim, përpara nënshkrimit të marrëveshjes për detyrimet e prapambetura deri më 31 dhjetor 2023. Me nënshkrimin e marrëveshjes, klienti duhet të kryejë pagesën e këstit të parë brenda 7 ditëve kalendarike dhe më pas të vijojë me pagesa mujore të rregullta deri në shlyerjen e plotë të detyrimit”, deklaron OSHEE.
Për klientët përfitues të ndihmës ekonomike, apo kryefamiljarët pensionistë, apo kryefamiljarët pensionistë këstet mujore do të jenë në masën 1 mijë e 200 lekë. Abonentë familjarë, pa ndonjë kategorizim të veçantë do mund t’i shlyejnë faturat e energjisë duke paguar nga 2 mijë e 800 lekë çdo muaj.
“Këto masa përfaqësojnë një shprehje konkrete të angazhimit social të OSHEE Group për të mbështetur qytetarët në përballimin e vështirësive financiare dhe për të krijuar një marrëdhënie më të drejtë dhe të qëndrueshme me klientët. Njëkohësisht, përmes zbatimit të këtyre skemave, synohet të forcohet edhe qëndrueshmëria financiare e kompanisë, si një parakusht për ofrimin e shërbimeve të sigurta dhe cilësore në të ardhmen”, deklaron OSHEE.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka vënë në dispozicion edhe një skemë tjetër. Klientëve familjarë që vendosin të shlyejnë njëherazi të gjitha detyrimet, do iu reduktohen në masën 70 për qind kamatvonesat. Po me të njëjtin kusht, përgjysmim të penaliteteve do mund të përfitojnë edhe institucionet publike, ndërsa për bizneset parashikohet falje 100 për qind e kamatvonesave. (A2 Televizion)