Fondet kanë 3 vjet të pezulluara, AZHBR kërkon kompani IT për të mirëmbajtur faqen web të IPARD

Nga Marjo Brakaj
15 Maj 2025, 19:23 | Ekonomi

Fondet e Bashkimit Europian për Shqipërinë në drejtim të bujqësisë kanë gati tre vjet që janë pezulluar, megjithatë Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rajonal kërkon një kompani në fushën e teknologjisë për të mirëmbajtur faqen e internetit të Instrumentit për Asistencën e Para-Anëtarësimit në Zhvillimin Rural, IPARD.

Në Agjencinë e Prokurimit Publik është depozituar edhe procedura tenderuese me vlerë disa dhjetëra-mijëra euro, duke specifikuar edhe kushtet për kompanitë e interesuara për të marrë pjesë në garë, shkruan A2.

“Dëshmi për shërbime të ngjashme. Si dëshmi për përvojën e mëparshme kërkohen vërtetime të lëshuara nga një ent publik ose fatura tatimore shitje, ku të shënohen datat, shumat dhe shërbimet e realizuara. Në rastin e përvojës së mëparshme të realizuar me sektorin privat si dëshmi pranohen vetëm faturat tatimore të shitjes ku të shënohen datat, shumat dhe shërbimet e realizuara”, thotë AZHBR.

Për shkak të parregullsive dhe abuzimeve të gjetura, Komisioni Europian vendosi në korrik të vitit 2023 të ndërpresë mbështetjen ndaj Shqipërisë në drejtim të bujqësisë dhe zhvilluar rural. Në një kohë që hetimet e Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit, e njohur si OLAF vijojnë, pezull ka mbetur edhe programi IPARD 3. 112 milionë eurot e programit të IPARD III nuk do të zhbllokohen as këtë vit, megjithatë Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rajonal synon të përcjellë sa më tepër informacion për fermerët shqiptarë.

“Sigurimi i informacionit në kohë lehtësisht i aksesueshem dhe informues rreth veprimtarisë së AZHBR, evidentimi i rolit të saj në mënyrë të thjeshtë dhe bindëse për të rritur ndërgjegjësimin nga një audiencë më e madhe publike. Promovimi dhe stimulimi i angazhimit të palëve të interesuara për zbatimin me efektivitet të programeve të AZHBR”, thotë AZHBR.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka dorëzuar ndërkohë pranë strukturave të Komisionit Evropian që në shtator të vitit të shkuar një plan veprimi me masat që do të ndërmerren për të garantuar transparencë, mirëmenaxhim të fondeve të BE-së si garanci për parandalimin e abuzimeve me këto para. Ministria e Bujqësisë pret që drita jeshile për IPARD III të jepet në vitin 2026, duke u dhënë kështu mundësinë fermerëve të përfitojnë në 9 fushat që do të mbështeten me fonde, si infrastrukturë rurale, ndërtim tregjesh, për Agro-përpunim apo Agro-turizëm, pylltari, asistencë teknike e këshillim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos