Hap pas hapi, ja si të plotësoni formularin e deklarimit të të ardhurave vjetore

Nga A2 CNN
26 Mars 2026, 09:38 | Ekonomi

Eksperti Edvin Stefani ka shpjeguar në një intervistë për Dita Jonë në A2 CNN hap pas hapi procedurën për plotësimin e deklaratës vjetore të të ardhurave, e njohur si “DIVA”, e cila është e detyrueshme për individët me të ardhura mbi 1.2 milionë lekë të reja në vit. Por mund të bëhet edhe vullnetarisht nga të gjithë të tjerët që duan të përfitojnë rimbursime për fëmijët.

Në A2 CNN ai theksoi se jo të gjithë individët përfitojnë nga kjo gjë, por ka edhe dy kategori përfituese.

"Disa që e kanë pasur pagën në seksionin që nuk kanë paguar tatim deri në 50 mijë lekë të reja këtë individë, nuk ka çfarë rimbursohen. Kjo është një pjesë e madhe e individëve që nuk kanë çfarë të rimbursohen. Përtej tyre ka dy kategori. Një kategori e cila është taksuar me 13% dhe ajo përfiton 13% të 48.000 lekëshit për fëmijë, domethënë rreth 6200 lekë të reja, 63€ për fëmijë në vit. Ndërkohë që ekziston një pjesë tjetër e individëve të cilët janë taksuar me 23%, ata me paga të larta të cilët eventualisht përfitojnë 23% të 48.000 lekëve, domethënë rreth 11.000 leke të reja në vit për çdo fëmijë”.

Për të marrë rimbursimin, nuk është e nevojshme të mblidhni faturat fizike. Faturat e lëshuara me ID personale janë regjistruar automatikisht në serverat e tatimeve dhe mund të riprodhohen elektronikisht në rast nevoje. Prindërit duhet të dorëzojnë IBAN-in dhe certifikatën familjare online, në seksionin “Çështjet e mia” në portalin e tatimeve, ku ngarkohen dokumentet për rimbursim.

Stefani nënvizon rëndësinë e plotësimit hap pas hapi dhe të saktë të deklaratës. Sipas tij gabimet më të zakonshme janë mosdorëzimi pas ruajtjes së formularit, përzgjedhja e vitit të gabuar të deklaratës ose mosplotësimi i seksionit për statusin e rezidentit.

"Hyni në tatime.gov.al, zgjidhni seksionin e deklaratës personale për herë të parë dhe plotësoni të dhënat sipas çertifikatës personale. Vendosni ID-në personale dhe klikoni ikonën që shfaqet për lidhjen me sistemin e-Albania, ku informacioni grumbullohet dhe menaxhohet lehtësisht. Zgjidhni vitin e duhur (p.sh., 2025) nga lista e deklaratave. Kujdes që të mos përzgjidhet gabimisht një vit tjetër. Sistemi tregon pjesët që duhen plotësuar dhe gabimet me ngjyrë të kuqe. Një seksion i rëndësishëm është statusi i rezidentit. Nëse tatimi nuk është mbajtur ose është mbajtur jashtë shtetit, duhet t’i shtoni këto të ardhura manualisht. Përfitimet për fëmijët bëhen në seksionin 26. Rimbursimi i shpenzimeve për shkollim mund të bëhet vetëm nëse të ardhurat janë nën 1.2 milionë lekë dhe plotësohen kushtet për të dy bashkëshortët. Pasi të keni kontrolluar gabimet dhe plotësuar të gjitha të dhënat, dorëzoni deklaratën elektronikisht për rimbursim”, shpjegoi ai.

 Për individët që marrin të ardhura jashtë Shqipërisë ose nga platforma si YouTube dhe Airbnb, duhet të shtohen këto të ardhura manualisht në deklaratë për të mos pasur penalitete.

Ai theksoi se gjoba për mosplotësim të deklaratës është 3,000 lekë, ndërsa vonesat mund të sjellin interesa deri në 0.06% në ditë, me maksimum 25%. Deklarata e plotëson sistemin elektronikisht, duke lehtësuar menaxhimin nga administrata tatimore dhe sigurimin e rimbursimit për fëmijët.

Rimbursimi është i mundur për të gjithë ata që plotësojnë kriteret, madje edhe për individët me të ardhura nën 1.2 milion lekë të reja, duke garantuar përfitime për çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos