Nga një vend që për dekada ka qenë burim emigracioni, sot Shqipëria po shndërrohet në “tokën e premtuar” për shumë individë, kryesisht nga vende të “botës së tretë”.
Malak, një e sapodiplomuar që ka lënë Algjerinë për Shqipërinë, është dëshmi e faktit se “ka edhe më keq”: “Ne ikëm nga Algjeria për të ardhur në Shqipëri sepse atje pagat dhe ekonomia në përgjithësi janë shumë të ulëta. U bënë tre muaj këtu në Tiranë. Unë kam mbaruar studimet për inxhinieri ndërtimi dhe jam në kërkim të një pune”.
Me shpresën për një jetë më të qëndrueshme ekonomikisht, ajo bashkë me bashkëshortin po ndjekin të njëjtën rrugë që shumë të tjerë po zgjedhin sot: të ndërtojnë të ardhmen në një vend që deri dje shihej vetëm si pikënisje për largim, shkruan A2.
“Si fillim erdhi bashkëshorti im. Me kontratë punë pasi ai punon në një kompani ndërkombëtare. Kemi marrë një shtëpi me qira dhe jemi pajisur me dokumente të rregullta”, tregon Malak.
Malak gati na çudit teksa çmimet në Shqipëri i konsideron më të përballueshme krahasuar me vendin e saj, ndërsa sfidat për të mbeten të pranishme, sidomos gjuha dhe gjetja e një pune në profesion: “Çmimet në Shqipëri janë më të lira se në Algjeri. Problemi më i madh që po kam tani është gjuha dhe gjetja e një pune. E mendojmë Shqipërinë për të qëndruar gjatë”.
Historia e saj është vetëm një nga shumë të tilla që po shfaqen së fundmi, duke reflektuar një realitet të ri: Shqipëria nuk është më vetëm vend nga ku iket, por gjithnjë e më shumë vend ku të tjerët zgjedhin të vijnë... ndonëse nga vende shumë të varfra ekonomikisht. (A2 Televizion)