“Investoni në Shqipëri!” Ishte kjo thirrja e Presidentit francez, Emmanuel Macron, drejtuar disa prej njerëzve më të pasur në botë të mbledhur në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar “Future Investment Initiative Europe”.
“Këtu në Shqipëri qartësisht keni në fakt pikën hyrëse në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, pikë kyçe në Mesdhe dhe Evropë, ndaj iu inkurajoj të investoni në Shqipëri, sepse keni udhëheqje të fortë. Nuk flas vetëm se është miku im, por sepse ka sjellë rezultate. Në dy vitet që vijnë, duke qenë se ka mandat të qartë, do të jenë pjesë e BE. Të jeni të sigurt që ne si Evropë do të japim rezultate”, tha Macron.
Nga Teatri i Operës dhe Baletit, kryeministri Edi Rama tregoi pak nga prioritetet e qeverisë së tij në mandatin e katërt në drejtim të “individit si kapitali më i çmuar i një shoqërie”: “Jam plotësisht i përkushtuar ndaj gjithçkaje që do të dalë prej këtej dhe për gjithkënd që duhet të këtë ndjesinë që duhet të kthehet në Shqipëri për të investuar dhe për të qëndruar. Më duhet të them diçka që mbase dikush nuk do jetë shumë i lumtur që ta dëgjojë, falë ndihmës së tij dhe disa udhëheqës të tjerë kemi çelur degën e re të Kolegjit të Europës në Tiranë”.
Të pranishëm në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar ishin edhe ish-kryeministri italian, Matteo Renzi, apo biznesmeni arab Mohamed Alabbar. Teksa nuk i kursyen kritikat, ata dhanë edhe disa këshilla për liderët e vendeve europiane.
“Unë mendoj se gjëja më e rëndësishme për Evropën sot është që të investojë në një fjalë shumë të thjeshtë dhe të vjetër: edukimi. Pse? Unë kam lindur në Firence dhe Firence u zhvillua falë financave bankare. Ata thonë se shpikën bankat, por nuk jam fort i sigurt për këtë. Gjenerata e re krijoi të ardhmen aty. Të njëjtën duhet të bëjë edhe Evropa”, tha Renzi.
Ndërsa Mohamed Alabbar, biznesmen nga Emiratet e Bashkuara Arabe, deklaroi: “Evropa duhet të jetë shumë e zgjuar për të integruar njerëz nga e gjitha bota e saj që të punojnë për zhvillimin e saj. Themeluesi i Apple ishte nga Siria”.
Samitit i parapriu firmosja e dy marrëveshjeve mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj franceze në fushën e turizmit dhe energjisë.
(A2 Televizion)